“Duke u përpjekur të fshehë faktin e hidhur të fitores me votat e OBRM-PDUKM-së në Çair, Tetovë, Strugë, Dibër е kështu me radhë, ata tani shpifin se gjoja Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) mbështetet nga votat e “Levicës”.
I bëjmë me dije opinionit publik se është vetë Hristijan Mickoski ai që hapur i ka kërcënuar liderët e VLEN-it të kenë kujdes në veprimet dhe deklaratat e tyre politike. Madje, nënkryetari i OBRM-PDUKM-së, Aleksandër Nikollovski e tha qartë: “Bilall Kasami nuk duhet të turpërohet apo të ndihet në siklet që maqedonasit në Tetovë votuan për të në raundin e parë. Tani ai duhet t’u përgjigjet atyre njerëzve, sepse ata janë mbështetësit e tij”. Kjo tregon se kush i komandon dhe kush i dirigjon.
VLEN-i e ka shitur kauzën shqiptare prej kohësh – që në vitin 2024, kur pas disfatës në zgjedhje pranuan të bëhen vasalë të OBRM-PDUKM-së. E njëjta histori po përsëritet edhe tani, pas humbjes së zgjedhjeve të 19 tetorit, kur ata sërish i dorëzuan komunat me shumicë shqiptare në duart e Mickoskit dhe të partisë së tij.
Por kjo gjendje nuk do të zgjasë. Më 2 nëntor, shqiptarët do të flasin qartë dhe me dinjitet – do t’i thonë JO vasalëve të OBRM-PDUKM-së dhe Mickoskit, duke zgjedhur rrugën e dinjitetit dhe përfaqësimit të vërtetë politik”, thuhet në kumtesën e AKI-së.


