Sikur për zhvillimet tjera politike, ashtu edhe për ndotjen e ajrit partitë po shkëmbejnë akuza të ndërsjella varësisht pozicionit të tyre.
LSDM-ja në pushtet po kritikohet për paaftësinë e menaxhimit të situatës me ajrin e ndotur. Megjithatë një gjë të tillë e kishte bërë edhe vetë kjo parti derisa ishte në opozitë.
Gjatë viteve të kaluara, kur niveli i ndotjes së ajrit arrinte majat, LSDM-ja akuzonte partitë në pushtet, VMRO DPMNE-në dhe BDI-në se nuk mbanin llogari për shëndetin e qytetarëve dhe se nuk kishin strategji për sigurimin e ajrit të pastër.
Ndërsa kur sot kritikohet akuzon partitë tjera për marketing politik. Rikujtojmë disa prononcime të përfaqësuesve të LSDM-së se si ngitnin zërin kush ishin në opozitë.
“Shkupi është sërish qyteti më i ndotur në botë. Kuptohet se për ndotjen e qytetit nuk kemi iluzion siç shkruajnë sot disa gazeta pro-qeveritare janë fajtore drejtimet e erërave ose situatat klimatike. Ajo është politikë që pas vetes fsheh korrupsion zgjedhor dhe biznes interesa të individëve në pushtet”, pati deklaruar në 2013-tën Jani Makraduli, LSDM.
“Shëndeti nuk ka alternativë. Ministria e Shëndetësisë paguan reklama, të cilat thonë se shëndeti nuk ka çmim, megjithatë është e qartë se Qeveria shumë lirë e ka shitur shëndetin të fëmijëve dhe qytetarëve të Maqedonisë”, shprehej vite më parë Radmilla Shekerinska, LSDM.
Madje LSDM-ja kur ishte në opozitë propozonte edhe masa konkrete se si të zbutet ndotja.
“Në kushte kur kemi disa ditë me radhë nivel të lartë të ndotjes në ajër, disa nga masat që propozojmë janë: ndalesë e përkohshme e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në Shkup, transport publik pa pagesë për të gjithë qytetarët kur niveli i ndotjes është shumë i lartë”, deklaronte një vit më parë Damjan Mançevski, LSDM.
Edhe vetë Kryetari i tanishëm i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov deri sa nuk ishte në postin e tanishëm kritikonte paraardhësin e tij Koce Trajanovski se nuk bënë asgjë kundër ndotjes së ajrit.
“Pushteti lokal nuk bën asgjë për ta ndaluar nivelin e grimcave PM në ajrin në Shkup dhe lejon që të gjithë ne të helmohemi nga ajri i ndotur. Shkupit i nevojitet strategji urgjente për ajër të pastër dhe cilësor, që do ta thithin shkupjanet”, pati deklaruar Petre Shilegov, LSDM.
Nga ana tjetër, edhe sektori civil ishte shumë i zëshëm në kohën kur LSDM-ja ishte në opozitë, por që tani ende nuk ka ndërmarrë asnjë reagim apo proteste siç bënte në të kaluarën.
“Mendoj se tanimë të gjithë duhet të marrin masa për zgjidhjen e këtij problemi, përfshirë këtu edhe qytetarët”, tha Nevena Smilevska, “Eko Svest” ./Alsat