Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar se zgjedhjet në këtë situatë nuk janë zgjidhje. Para nesh kemi një mision shumë fisnik për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai shtoi se RMV-ja duhet t’i fillojë bisedimet me BE-në. Sipas tij, para nesh ka projekte shumë të rëndësishme, jo vetëm politike, jo vetëm ekonomike, por edhe gjeopolitike dhe gjeostrategjike, siç është Korridori 8 dhe Korridori 10
Në konferencën e sotme për media në selinë e BDI-së në Tetovë, ai theksoi se momentet e rëndësishme kërkojnë solidaritet të fuqishëm.
“Siç janë para nesh tejkalimi dhe menaxhimi i krizës e cila nuk është krizë e thjeshtë, por, e gjithë Evropa është në luftë. Edhe në situatë kur i gjithë rajoni është në krizë të tillë, dhe kur e gjithë Evropa është në luftë me aneksimin e padrejtë të Ukrainës, për këtë momente të rëndësishme kërkojnë solidaritet të fuqishëm, sepse dëmtohet drejtësia dhe liria e popullit ukrainas dhe e shtetit të quajtur Ukrainë”, tha ai.
Në këto situata, siç shtoi Ahmeti, RMV-së i duhet mobilizim.
Në lidhje me protestën e djeshme të VMRO-DPMNE-së, Ahmeti theksoi se e drejta e partive politike, për protestë është e garantuar me kushtetutë.
“Këtë të drejtë VMRO-ja dhe partnerët e koalicionit e shfrytëzuan. Por, kush janë partnerët e koalicionit, kjo është çështje e tyre e brendshme. Me Të majtën ose me partinë e Baçevit, e cila është themeluar me logjikën e ideologjinë e Putinit që të kenë ndikim në hapësirat ballkanike. Kjo është e dhimbshme për mua dhe e them shumë sinqerisht sepse VMRO është parti e cila është opozitare, nuk duhet të jetë në kurthet e apetiteve sa më shpejtë që është e mundur të vijë në pushtet”, tha Ahmeti.
Sipas tij, nëse ata janë të përcaktuar që të rriten, të kontribuojnë për Maqedoni stabile me të ardhme të sigurt, atëherë, siç tha “duhet t’i zgjedhin edhe miqtë e tyre dhe partnerët e tyre me të cilët koalicionojnë, bashkëpunojnë dhe me të cilët ndërtojnë strategji”.