“As nuk është pasuruar, por as nuk është varfëruar, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, që nga zgjedhjet e vitit 2014”, kështu tregon lista pronësore e numrit një të BDI-së, të dorëzuar te Komisioni për Parandalim të Korrupsionit.
Lista pronësore është publikuar dje, ndërkaq në të shihet se në krahasim me atë të vitit 2014, Ahmeti i ka paraqitur të njëjtat pasuri.
Si pasuri të patundshme, ashtu sikur edhe në vitin 2014, Ahmeti ka paraqitur se ka një tokë bujqësore 700 metra katrorë në Shqipëri me vlerë prej 30.000 dollarëve dhe shtëpi në Kërçovë prej 254 metra katrorë në Kërçovë, me vlerë prej 100.000 dollarëve. Ahmeti zyrtarisht në emër të bashkëshortes së tij ende e ka veturën “Volswagen Polo 2010”, e cila kapë vlerën e 7 mijë eurove, ndërkaq llogaria bankare e “Bankës Komerciale”, nuk a ndryshuar as për një denarë, aq sa ishte në vitin 2014 – 758.482.00 denarë.
Për dallim nga lideri i BD-së, lideri i VMRO-DPMNE-së dhe ish partneri qeveritar i BDI-së, Nikolla Gruevski, është pasuruar me 8 fotografi artistike dhe ka kursyer rreth 230.000 euro.