Kreu i integristëve Ali Ahmeti ka komentuar për herë të parë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që abrogoi nenet e metodologjie që ndanin popullsinë në rezident dhe jorezident. Ahmeti mbrojti mbrëmë procesin e regjistrimit duke thënë se gjithçka ishte realizuar në kuadër të marrëveshjes.
“Shqiptarët as kanë qenë të ndarë, as do të ndahen ndonjëherë. Është regjistrim në kuadër të të gjitha marrëveshjeve”, tha Ali Ahmeti. Kryetar i BDI-së.
Mbrojtja me ngulm e regjistrimit në këtë formë nga ana e Ahmetit, për VLEN-in shihet si tradhti. Partitë shqiptare akuzojnë BDI-në se ka kryer aktin më të rëndë të tradhtisë me fshirjen e mërgatës nga lista e regjistrimit të popullsisë duke i trajtuar të njëjtët si jo rezidente. Nga Koalicioni Vlen kërkojnë nga kreu i Integristëve që të sqaroj se me pranimin publik të këtij skandali që Ahmeti e quan si “Në kuadër të Marrëveshjes”, të tregojë se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë dhe a ishte kjo marrëveshje, akuzojnë nga VLEN, për fshirjen e mërgatës shqiptare nga listat zyrtare të regjistrimit.
“Ali Ahmeti duhet të përgjigjet qartë: Cila ishte ajo marrëveshje? Me kë e ke bërë? Në emër të kujt? A ishte kjo marrëveshje për të fshirë mërgatën shqiptare nga regjistrat zyrtarë? Nëse po, atëherë duhet të thuhet hapur. Mërgata meriton përgjigje dhe përgjegjësia është e pashmangshme. VLEN do të vazhdojë të ngrejë zërin për të drejtën e çdo shqiptari, në vend dhe në diasporë. Mërgata nuk është numër për t’u fshirë, por zemra që mban gjallë ekonominë dhe shpresën e këtij vendi”, thuhet në reagimin e VLEN-it në rrjetet sociale.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për abrogimin e neneve të metodologjisë së regjistrimit, pushteti ka paralajmëruar se nuk përjashtohet shqyrtimi i përgjegjësie për dy ish drejtuesit të procesit Apostol Simovski dhe Ilmi Selami. /Alsat.mk