Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka komentuar takimin me kryeministrin, Edi Rama, dhe dokumentin e dalë nga ky takim.
Kërkesat e këtij dokumenti do të jenë kërkesat finale të partive shqiptare, gjithsesi një pjesë e madhe e tyre tashmë janë pjesë e platformave politike, tha Ahmeti.
“Duke filluar prej barazisë gjuhësore, barazisë ekonomike, reformave në gjyqësi, zbardhja e shumë proceseve që akoma kanë mbetur misterioze për ne si parti politike, por edhe për shqiptarët në përgjithësi, këto janë pikat që përmban kjo draft marrëveshje si dhe anëtarësimi i vendin në NATO dhe BE, dhe marrëdhëniet me fqinjët”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Në pyetjen nëse pjesë e kërkesave si kusht për koalicion në qeverinë e re është dhe shteti binacional dhe ndryshimi i kushtetutës, Ahmeti ka thënë se në dokumentin e nënshkruar në Tiranë ai kusht nuk ekziston. Ahmeti mohon edhe se është diskutuar për formimin e ministrisë së minoriteteve.
“Unë nuk kam parë diçka të tillë në këtë draft dokument dhe dokumenti do të bëhet publik pas takimit të udhëheqësve të partive politike të cilat kanë marrë pjesë në këtë takim… Nuk është puna e kushtit as e vijave të kuqe, është çështja e nevojave për shqiptarët në RM”,– theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Nuk është diskutuar as për ngritje të ndonjë ministrie, ka ide për organizimin e ri në të ardhmen dhe kjo duhet të shihet, të trajtohet dhe të vlerësohet nga partitë politike. “Por, që do të ketë ministri të minoriteteve unë këtë nuk e kam dëgjuar, mund të ketë ministri të komuniteteve”.
Ahmeti thotë se as Shqipëria e as Kosova nuk përgatisin politikën e shqiptarëve në Maqedoni, pasi ne i kemi qëllimet tona dhe program, por ndihma e secilit është e mirëseardhur, madje edhe e faktorit ndërkombëtar.