“Mendoj se është në të mirë të Çegranit dhe Gostivarit në përgjithësi që të mbështetet projekti i Nevzat Bejtës dhe u them me sinqeritetin më të madh që Bashkimi Demokratik për Integrim, i tërë ekzekutivi, grupi parlamentar dhe unë personalisht, Ali Ahmeti i qëndrojmë pas këtij projekti të Nevzat Bejtës”, tha lideri i BDI-së Ali Ahmeti para banorëve të fshatit Çegran, duke nënvizuar me këtë rast që kundërshtarët politik nuk duhet të shërbehen me shpifje dhe lajme të rrejshme.
“Rrofshin e qofshin të gjithë ata që merren me politikë por jo me shpifje dhe me lajme të rrejshme. Sepse, unë nuk dua të qëndroj dhe as që kam qëndruar deri tash në politikë duke bërë lajme të rrejshme dhe duke përçarë shqiptarët. Le të ngrihet zëri aty ku s’kemi bërë punë të mira, le të thuhet se çka s’kemi bërë, por me shpifje dhe lajme të rrejshme nuk dakordohemi”, tha Ahmeti.
Ai para banorëve të Çegranit përkujtoi veprën e Imer Imerit si nënshkrues i Marrëveshjes së Ohrit.
Kryetari i Komunës së Gostivarit njëherit kandidati i BDI-së për kryetar komune të Gostivarit, Nevzat Bejta para banorëve të Çegranit potencoi që programi i ri 2017 – 2021 është vazhdimësi e planeve për rindërtimin e qytetit të Gostivarit dhe fshatrave përreth, përfshi edhe Çegranin që do të vazhdojë të mbetet lokalitet me prioritet për investimet e ardhshme të Komunës së Gostivarit.
“Ju garantoj që qeveria e re për një vit do ta zgjidhë problemin me deponinë rajonale dhe do të shmangim deponitë pa leje që i kemi edhe në Çegranin tuaj. Si projekt kryesor që e përfshinë edhe Çegranin, është projekti “Ujë për Gostivarin” për të cilin kemi siguruar 9.2 milion franga nga qeveria zvicerane. Me këtë projekt, edhe Çegrani do të furnizohet me ujë për pije nga burimi i lumit Vardar. Me planet për Gostivarin e nesërm kemi paraparë edhe zona të lira ekonomike. Një nga ato do të jetë edhe në Çegran. Dihet që kompania “PRG Angli”, pasi hapi fabrikë në Balindoll ka vendosur që të hapë fabrikë edhe në Çegran dhe që do të kushtojë 15 milion dollarë”, tha Bejta, duke shtuar që Çegrani ka tashmë aktin e përgjithshëm urbanistik dhe të gjitha objektet tani mund të ndërtohen me leje për ndërtim.
Bejta paralajmëroi gjithashtu edhe ndërtimin e sallës sportive në Çegran, kënde lojërash, terrene sportive, rregullimin e oborreve të dy objekteve shkollore, vënien në funksion të çerdhes parashkollore, kanalizimin për vaditjen e tokave pjellore përfshirë ndërtimin e pendës, si dhe përfundimin e rrugëve dhe rrugicave brenda fshatit.