Me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi se vëmendja nuk duhet të përqendrohet te folklorizmat dhe emocionet. Sipas tij, të gjithë duhet të reflektojnë dhe të angazhohen për të ndërtuar një jetë në paqe, stabilitet dhe siguri.
Ahmeti theksoi se Maqedonia është vendi i tij, i gjyshërve dhe i stërgjyshërve të tij. “E dua Maqedoninë po aq sa e duan Cërvenkovski dhe Mickoski”, u shpreh ai.
Lideri i BDI-së paralajmëroi se kushdo që synon të cenojë gjuhën shqipe dhe përfaqësimin e drejtë duhet t’i mbajë duart larg Marrëveshjes së Ohrit. Ai nënvizoi se kjo marrëveshje nuk përbën vetëm një arritje të shqiptarëve, por është një sukses i përbashkët.
Duke folur më tej, Ahmeti tha se kishte pasur një projekt për ndarjen e Maqedonisë, sipas të cilit një pjesë e qyteteve do të mbeteshin jashtë Shqipërisë. “Shqiptarët e Shkupit nuk do të ishin bashkë me mua, ndërsa unë do të isha Shqipëri”, deklaroi ai.
“Nuk them se është rezultat vetëm i shqiptarëve. Nuk them se me Marrëveshjen e Ohrit kanë fituar vetëm shqiptarët; ka fituar edhe kombi maqedonas”, tha Ahmeti.



