Kryetari i BDI-së dhe ai i PDSH-së, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, janë takuar mbrëmë në Tetovë, pas shumë vitesh rivalitet dhe përplasje të ashpra në opinion dhe në skenën politike. Liderët e dy partive thanë se janë takuar për të mirën e shqiptarëve, për të bashkëvepruar për implementimin e Marrëveshjes së Përzhinos, si dhe për të përshpejtuar proceset integruese. Ahmeti tha se Thaçi ka pjesë të përgjegjësisë si nënshkrues i Marrëveshjes së Përzhinos vitin e kaluar.
“Opozita shqiptare ka përgjegjësi po aq sa ka edhe pozita në këtë rast për zbatimin e Marrëveshjes së Shkupit, për materializimin e asaj marrëveshje. Është një marrëveshje jashtëzakonisht e rëndësishme që edhe opozita shqiptare ka përgjegjësi morale dhe kombëtare se me atë marrëveshje janë shumë të detajuara gjërat që nga integrimi I vendit në NATO deri te realizimi i barazisë gjuhësore”, ka deklaruar Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi tha se partia e tij mbetet në opozitë, ndërsa siguroi Ahmetin se dy votat e kësaj partie në Kuvend do të mbështesin reformat. Edhe Thaçi tha se me Ahmetin është takuar për të mirën e shqiptarëve dhe në bashkëpunim me të t’i ngrenë shqiptarët e Maqedonisë në piedestal të lartë.
“Me z. Ahmeti biseduam shumë tema, iu thash hapur që ne do të vazhdojmë ta kultivojmë opozitën shqiptare, ani se duket se nuk kemi shumë vota, por kemi mandate. Mandate është për të qenë opozitar dhe ne këtë mandate nuk do ta tradhtojmë. Por kjo nuk do të thotë që ne mos ti harmonizojmë disa qëndrime për të mirën e shqiptarëve dhe për të mirën e qytetarëve që jetojnë këtu. Takime të këtilla sigurisht se do të ketë dhe do të bisedohet ekskluzivisht për ecje përpara”, u shpreh Menduh Thaçi.
Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, Thaçi tha se nuk është biseduar për hyrjen e PDSH-së në Qeveri dhe as për ndonjë koalicion për zgjedhjet e ardhshme lokale. Ndërsa në pyetjen nëse do të takojë edhe liderët e partive të tjera shqiptare, kreu i PDSH-së u përgjigj duke thënë se Ahmetin e ka takuar si udhëheqës i partive shqiptare në pozitë, ndërsa për Lëvizjen Besa tha se kanë pasur kushte të pakapshme për të.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Ahmeti dhe Thaçi: U ulëm bashkë për të mirën e… by tvshenjaofficial
Ahmeti dhe Thaçi: U ulëm bashkë për të mirën e… by tvshenjaofficial