Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti i konsideron të turpshme aktet e mbrëmshme në Kuvendin e Maqedonisë, ndërsa apelon tek qytetarëve veçanërisht tek shqiptarët që ky problem politik të mos shndërrohet në problem etnik.
“Është një akt i turpshëm dhe i dënueshëm dhe me pasoja të tjera që rrënojnë imazhin e Republikës së Maqedonisë. Si një akt i tillë i shëmtuar duhet dënuar. Në këtë rast, apeloj tek gjithë qytetarët që të ruajnë gjakftohtësinë dhe urtësinë dhe në veçanti që ky problem politik të mos shndërrohet në problem etnik. Kriza politike të zgjidhet dhe të marrë drejtimin e duhur drejt konstituimit të institucioneve të shtetit”, ka thënë Ahmeti.
Ai tha se mendon që Ivanov është pjesë e problemit dhe nuk është pjesë e zgjidhjes së problemit.
“Nuk mendoj që ne t’i përgjigjemi thirrjes së Ivanovit. Duhet të përdoren mekanizma të tjerë për të ulur gjakrat në fillim dhe më pas të shihen masat për veprimet e ardhshme. Jemi në koordinim edhe me forca të tjera politike. Të shohim për ndërtimin e strategjisë së ardhme dhe hapave që do të ndërmerren drejt vënies në veprim dhe në funksion të Parlamentit dhe në ushtrim të detyrës të kryetarit të sapo zgjedhur”, ka shtuar Ahmeti.
Ai tha se çdo deklaratë që nxit është e dëmshme dhe se të gjithë duhet të ulin tensionet.
“Të gjithë duhet të ulin tensionet. Në rrugë institucionale mund të kanalizohen gjërat dhe të hyjnë në binar për zgjidhje përfundimtare. Thirrjet dhe apelet për revanshizëm na çojnë në rrugë pa krye”, ka thënë Ahmeti.