Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot fushatën zgjedhore e nisi në Komunën e Sarajit, ku lideri Ali Ahmeti takoi sipërmarrësit e kësaj zone me qëllim që të diskutojë mbi inkurajimin e biznesit vendor që ai të përparojë.
Ahmeti gjithashtu para afaristëve të Sarajit tha se kur biznesi përparon dhe nuk ka pengesa në rrugën e tij, atëherë hapen dhe vende të reja të punës, e kjo mund të realizohet vetëm përmes garancave të politikave të BDI-së.
“Për të qenë në biznes, për të hapur një biznes, vërtet duhet të jesh i guximshëm, dhe të kesh besim tek qëllimi. Për të pasur një biznes të suksesshëm, një shtet mendoj se duhet të ketë politika të qëndrueshme pasi pa to nuk ka as biznes afatgjatë, pa politika që avancojnë biznesin, ai nuk mund të përparojë”, u shpreh z.Ali Ahmeti, lider i BDI-së dhe bartës liste për njësin 6.
Para afaristëve të profileve të ndryshme, Ahmeti theksoi se mndati që po e lë pas ka qenë tejet kaotik, por rikujtoi ata se në fushën e biznesit ka pasur zhvillime për t’u përshëndetur, krahasuar me problematikën ku ndodhej vendi.
“Ne jemi përpjekur që në këtë vend biznesmenëve t’u krijohen kushte, ndoshta nuk ia kemi dalë që të gjitha beneficionet t’ua dedikojmë, nuk kemi arritur që të gjitha ato kërkesat e juaja t’i realizojmë, por sëpaku jemi përpjekur që “zullum” në qafë biznesi shqiptar mos të ketë”, deklaroi Ahmeti.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) fushatën ditore do t’a përmbyllë me mbajtjen e tubimit qëndror në sallën e sportit në Komunën e Sarajit.