Anëtari i Kryesisë së LSDM-së, Agron Demiri, ka reaguar lidhur me publikimin e fotografive të ish-kryeministrit Zoran Zaev në një jaht privat në Greqi, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një përpjekje të qëllimshme për krijimin e sensacionit në opinion.
Sipas Demirit, qarqe të caktuara politike prej vitesh ndërtojnë narrativa të bazuara në urrejtje dhe etiketim, ndërsa tani po tentojnë ta paraqesin si skandal diçka që, sipas tij, nuk përbën as shkelje dhe as problem ligjor.
“Çdo politikan duhet të jetë subjekt kritikash kur ekzistojnë argumente për këtë, por askush nuk meriton të jetë cak i diskreditimeve të vazhdueshme vetëm sepse kundërshtarët nuk kanë rezultate me të cilat mund të mburren”, theksoi Demiri.
Ai rikujtoi se gjatë mandatit të Zaevit, Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s, u hapën perspektivat për integrimin evropian dhe u avancuan marrëdhëniet ndëretnike në vend.
Demiri vlerëson se debati politik duhet të fokusohet te ekonomia, standardi i jetesës, integrimi evropian dhe zhvillimi i shtetit, e jo te fotografitë nga jeta private e politikanëve.
Në reagimin e tij, ai kritikoi edhe gjendjen aktuale politike, duke përmendur ngecjen e procesit eurointegrues, rritjen e kostos së jetesës dhe zhgënjimin e qytetarëve, ndërsa bëri thirrje për rikthimin e dialogut, bashkëjetesës dhe vizionit për një të ardhme evropiane.
Në fund, Demiri shprehu bindjen se “ditët e mira do të kthehen sërish”, duke shtuar se qytetarët dinë të vlerësojnë dhe në fund gjithmonë triumfojnë vlerat e vërteta.


