Maqedonia e Veriut ka kohë edhe tre muaj për t’i përmbushur reformat që në Agjendën Reformuese janë të afatizuara deri në qershor. Megjithatë, kjo kohë nuk konsiderohet edhe aq e gjatë, pasur parasyshë listën e gjatë të punëve që duhet bërë në këtë periudhë. Këto reforma dhe shumë të tjera, vendit i mundësojnë marrjen e 750 milionë eurove. Vendi, nuk ndodhet në ditët e tij më të mira, edhe opozita kritikon se Agjenda e reformave ka ngecur, se asnjë ligj nuk ka hyrë në procedurë parlamentare. Se cilat reforma duhet t’i bëjë vendi brenda tre muajsh Portalb.mk ua sjell në vijim.
Transponimi i plotë i pakos për integrim të energjisë elektrike dhe vazhdimi i zbatimit të saj, në përputhje me kërkesat e Komunitetit energjetik dhe Ulje graduale e ndërhyrjes publike në përcaktimin e çmimeve të furnizimit me energji elektrike në përputhje me nenin 5 të Direktivës 2019/944 për rregullat e përbashkëta për tregun e brendshëm të energjisë elektrike: Ulja e ndërhyrjes në përcaktimin e çmimit në 70%, janë disa prej reformave të renditura për tu zbatuar deri në qershor.
Më poshtë kemi renditur të gjitha reformat tjera që përpos dy të sipërpërmendurave, janë edhe 11 të tjera.
Miratimi i Planit trevjeçar për renovimin e ndërtesave të Qeverisë qendrore të harmonizuar me qëllimin vjetor për renovim prej 3 %.
Miratimi dhe zbatimi i kornizës legjislative për sigurinë kibernetike që është plotësisht në përputhje me politikën e BE-së për sigurinë kibernetike dhe ligjin e BE-së për sigurinë kibernetike, të a.q Aktin e Sigurisë së Rrjetit dhe Sistemeve të Informacionit dhe strategjinë e përditësuar të sigurisë kibernetike.
Miratimi i Ligjit të ri për Komunikimet Elektronike, harmonizimi i legjislacionit kombëtar në përputhje me ligjin e BE-së dhe Ligjin për Infrastrukturën Gigabit, pas hyrjes në fuqi të tij në BE.
Pajtueshmëria me Rregulloren e BE-së për Identitetin Digjital dhe Rregulloren eIDAS2 duke miratuar një Ligji të përditësuar për Dokumentet Elektronike, Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet Konfidenciale, duke përfshirë pajtueshmërinë me Rregulloren e re të BE-së për Identitetin Digjital që rishikon Rregulloren eIDAS
Sjellja e legjislacionit për të mundësuar arkivimin e dokumenteve elektronike
Rritja e numrit të inspektimeve të Inspektoratit Shtetëror të Punës me 20% dhe Inspektoratit të Tregut me 15% krahasuar me mesataren e periudhës 2020-2023. Inspektimet kryhen me parimin e riskut sektorial, i cili fokusohet në ndërtim, turizëm dhe bujqësi
Bazuar në hartën e mëparshme të 377 tarifave dhe rekomandimeve nga projekti përkatës i asistencës teknike të financuar nga BE, 28 tarifa të tilla u optimizuan
Lehtësimi i aksesit në kredi për NVM-të me ndryshimet e legjislacionit përkatës për të mundësuar përdorimin mjeteve jo-materiale si kolateral në kreditimin e NVM-ve
Krijim i regjistrit të NPSH (SOEs) dhe shoqërive tregtare me pjesëmarrje shtetërore që është në dispozicion të publikut
Miratimi i planit për ristrukturimin e operatorit të hekurudhës në pronësi shtetërore dhe drejtuesin e infrastrukturës hekurudhore deri në janar 2025
Miratimi i ndryshimeve në ligjet me të cilat rregullohen pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe të shërbimit gjyqësor dhe prokurorial
Tre reforma që janë paraparë për këtë periudhë tashmë janë zbatuar dhe ato janë:
Kodi Zgjedhor është ndryshuar në përputhje me vëzhgimet e ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2024
Është sjellë Ligji i ri për Këshillin Gjyqësor në përputhje me “Misionin e Vlerësimit” për funksionimin e Këshillit Gjyqësor, nga 23 shtatori, dhe mendimin e Komisionit të Venecias.
Janë plotësuar të gjitha vendet e hapura të punës në Agjencinë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar
Lidhur me këto reforma, Qeveria ose institucionet përgjegjëse duhet të dokumentojnë çdo progres për të përmbushur kushtet dhe të sigurojnë raportim të saktë për të justifikuar fondet e kërkuara.
Burimet për verifikimin e zbatimit të këtyre reformave do të jenë dokumente të hartuara nga institucionet përkatëse, raportet e dorëzuara në Qeveri, dhe publikimet zyrtare (p.sh., në Gazetën Zyrtare).
Ndryshe, Agjenda Reformuese e Maqedonisë së Veriut është e ndarë në dy pjesë kryesore. Në pjesën e parë janë përcaktuar qëllimet dhe koherenca e Agjendës Reformuese, ndërsa në pjesën e dytë janë përshkruar fushat e politikave dhe reformave të ngjashme. Me këtë agjendë, pritet promovimi i një sistem gjyqësor të pavarur, efikas dhe të besueshëm, i aftë ta mbështesë drejtësinë dhe garantimin e shtetit të së drejtës.
Agjenda e reformës e Maqedonisë së Veriut u miratua më 23 tetor 2024 nga Komisioni Evropian, e njëjta është e orientuar drejt adresimit të sfidave thelbësore që pengojnë konvergjencën socio-ekonomike të vendit me Bashkimin Evropian (BE). Nga e njëjta, varet edhe lëshimi i parave, fonde të BE-së, për vendin tonë.
Ministria për Çështje Evropiane tha po zhvillon një platformë online, e cila do të sigurojë transparencë të plotë në implementimin e Agjendës Reformuese. Kjo platformë duhet të mundësojë qasje të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe grupeve të interesit në informacionet për reformat, datat e ekzekutimit dhe projektet përkatëse. Megjithatë kanë kaluar katër muaj që kur ministri Murtezani, deklaroi se Platforma online për zbatimin e Agjendës Reformuese do të përgatitet në “afat sa më të shpejtë të mundur”. Tani, pas gjithë kësaj kohe, kjo platformë ende nuk është gati dhe nuk dihet as sa do të zgjasë përgatitja e saj.
Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
Në prill dhe maj 2024, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli, dy miliard do të jenë para pa kthim, ndërsa tjerat në formë të kredive.
750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.
Edhe pse pritej që Bashkimi Evropian nga fillimi i vitit të dërgonte këstin e parë të Planit të rritjes, prej 52.5 milionë eurove për Maqedoninë e Veriut, e njëjta po vonon. Sipas Ministrisë së Çështjeve Evropiane (MÇE), vendi i ka kryer detyrat e veta për tërheqjen e këtyre parave, por të pyetur nga Portalb.mk, nuk dhanë përgjigje për afatet dhe procedurat përfundimtare që mund të çojnë në realizimin e pagesës së parë. Nga ana tjetër, nga Bashkimi Evropian thonë se vonesat janë shkaktuar për shkak të procedurave të ratifikimit të marrëveshjeve në pesë vendet e Ballkanit, dhe se deri në prill do të lëshohen paratë.