Krerët e dikasterit të Brendshëm shprehen të bindur që pas formimit të Agjencisë Teknike Operative, përgjimet nuk mund të keqpërdoren. Megjithatë, në propozim-ligjet e mriatuara një ditë më parë nga Qeveria, nuk potencohen kriteret e profilizimit të të punësuarve, përzgjedhja dhe filtrimi i mundshëm i tyre gjatë kalimit nga DSK-ja ose institucionet tjera të shërbimit sekret, në kuadër të Agjencisë së re. Në takim me gazetarët Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski dhe kreu i DSK-së Goran Nikollovski, nuk bënë të ditur sa të punësuar do të ketë Agjencia dhe sa do të kushtojë themelimi dhe vënia e saj në funksion. Spasovski shtoi se nuk dëshiron të spekulojë sepse për këtë do të duhet analizë e detajuar. Edhe pas miratimit të propozim-ligjit për përgjimet në ekzekutiv, mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë edhe me pajisjet tjera për përgjim, veçanërisht ata të cilat shteti i ka blerë në vitin 2012 nga firma britanike “Gara Group” përmes firmës “Finzi”, për të cilat nga dikasteri i brendshëm shkurtë thanë se janë të vulosura dhe nuk janë në përdorim. Spasovski u shpreh i bindur se asnjë institucion nuk do të mund të marrë të dhëna dhe materiale të përgjuara nga Agjencia, pa urdhër gjyqësor për këtë. Mirëpo, edhe më tej mbetet e paqartë se si institucionet do të veprojnë në rast të nevojës urgjente për ndjekje të ndonjë personi për arsye të sigurisë dhe nëse opsioni për ndjekje pa urdhër gjyqësor për raste të këtilla mbetet i hapur, siç ka qenë praktikë në të kaluarën për DSK-në.
Institucioni që kërkon masën e përgjimit nga ATO-ja nuk do të ketë njohuri për kërkesat e institucionit tjetër për ndjekjen e numrave të caktuar dhe as nuk do të mund të bëjnë shkëmbim të informative të marra nga Agjencia.
ATO-ja do të posedojë vetëm numri e telefonit të personit që duhet të ndiqet, do të jetë ndërmjetësuese dhe përçuese e sinjalit, por nuk do të ketë njohuri se kush përgjohet dhe as përmbajtjen e bisedave. Ajo do të përfaqësojë organ të pavarur, jashtë MPB-së.
Drejtori dhe zv.drejtori i Agjencisë do të zgjidhen nga Kuvendi me 2/3 e votave, do të jenë nga radhët e ekspertëve dhe do të zgjidhen me kritere të njëjta. Drejtori sjellë aktet për organizimin e punës dhe sistematizimin e të punësuarve të cilët do të ndahen në tre grupe, në pozita udhëheqëse, punëtor të fushës dhe të punësuar teknikë.
Agjencia, të paktën një herë në vit duhet të dërgojë raport për punën e saj në Komisionin e posaçëm që do të formohet për punën e saj në Kuvend, kurse sipas nevojës së Komisionit, raporti mund të përshpejtohet. Komisioni I posaçëm në Kuvend do të ketë mundësi, me kërkesë të cilitdo prej anëtarëve, të kërkojë në çdo kohë kontroll mbi punën e Agjencisë, dhe kjo mund të bëhet edhe pa paralajmërim. Puna e Agjencisë, në Komision do të mund të analizohet edhe nga ekspertë të jashtëm, të cilët do t’i angazhojë komisioni.
Në grupin e punës për përpilimin e propozim-ligjeve, sipas Spasovskit, përveç ekspertëve dhe përfaqësuesve të institucioneve të interesuara, janë përfshirë edhe përfaqësues të opozitës. Nuk dihet nëse opozita do të mbështesë këto propozime por, sipas Spasovskit, nuk kanë pasur vërejtje gjatë punës.
Propozim-ligjet do të hynë në rend dite në Kuvend pritet të vendosen pas festive kurse e shumta më 1 nëntor të 2018-ës, Agjencia duhet të fillojë me punën.
Fatlume Dervishi