Agjencia për shërbimet audio dhe audiovizuele ka promovuar sot nisjen e aktiviteteve për përpilimin e një strategjie të re për periudhën 2018-2022.
Agjencia paraprakisht ka vlerësuar se strategjia duhet të fokusohet në 6 sfera: pavarësia profesionale e medieve, mbrojtja dhe zhvillimi i pluralizmit mediatik, mbrojtja e të drejtave të njeriut në përmbajtjet mediatike, kornizë rregullash për zhvillimin e medieve, sigurimin e kushteve për rritjen dhe zhvillimin e tregut dhe konkurrencës, si dhe zhvillimin e njohurive mediatike. Megjithatë, nga agjencia thonë se prioritet do t’u jepet sferave që do të përcaktohen si të rëndësishme pas procesit të konsultimeve.
Drejtori Zoran Trajçevski ka kërkuar përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara, me qëllim që të përpilohet një strategji sa më kualitative.
“Qëllimi i strategjisë është që të bëhet një skicë e gjendjes aktuale në të cilën ndodhet veprimtaria audio dhe audiovizuele, të përcaktohen drejtimet për zhvillimin e mëtejmë në 5 vitet e ardhshme, si dhe aktivitetet konkrete për realizimin e këtyre qëllimeve. Presim që strategjia të jetë një rezultat i një procesi më gjerë të konsultimeve me të gjitha palët, në mënyrë që të përfshihen dhe adresohen të gjitha çështjet kryesore”, tha drejtori Zoran Trajçevski. /SHENJA/

