Filloi përgatitja e Strategjisë për zhvillim të veprimtarisë audio dhe audiovizuale për periudhën 2018-2022. Drejtori i Agjencia për Shërbime Madiatike Audio dhe Audiovizuale, Zoran Trajçevski fton mediat dhe shoqatat qytetare të kontribuojnë me idetë dhe përvojat e tyre, në mënyrë që strategjia në fjalë të jetë rezultat i përbashkët.
Për ne është e rëndësishme që përpunimi i Strategjisë të jetë rezultat i një procesi të gjerë konsultativ nga të gjithë aktorët e veprimtarisë, me qëllim që e njëjta t’i përfshijë dhe t’i trajtojë në mënyrë të duhur të gjitha çështjet kryesore për anët e përfshira në veprimtarinë mediatike. Presim që në strategji të kontribuojnë me përvojat dhe rezultatin e punës së tyre institucionet kompetente dhe organizatat qytetare me numër të madh të projekteve nga sfera e mediumeve – deklaroi Zoran Trajçevski, Drejtor i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale.
Udhëheqësja e Sektorit për planifikim strategjik, Magdalena Doneva theksoi se Strategjia do të duhet t’i përshtatet standardeve ndërkombëtare dhe inovacioneve teknologjike. Andaj e njëjta pritet të përpunohet në gjashtë sfera kyçe.
Kemi vlerësuar se sferat në të cilat do të duhet të orientohet Strategjia janë këto gjashtë në vijim: Pavarësia profesionale dhe redaktoriale e mediave; Mbrojtja e të drejtave të njeriut në përmbajtjet mediatike; Mbrojtja dhe zhvillimi i pluralizmit mediatik; Gjithsesi që të mundësohet realizimi i këtyre qëllimeve është e nevojshme nga njëra anë të ekzistojë kornizë rregullatore e cila do të mundësojë zhvillim të mediumeve e nga ana tjetër të sigurohen kushte për rritje dhe zhvillim të tregut dhe konkurrencës; Gjithashtu të parashikohen masa për rritjen e edukimit mediatik – deklaroi Magdalena Doneva Davidkovska, udhëheqëse e Sektorit për planifikim strategjik dhe të drejta autoriale.
Strategjia është pjesë e Programit të punës së Agjencisë. Gjithsesi raportet vendase dhe ato ndërkombëtare theksojnë se nevoja e reformave urgjente në sferën mediatike po bëhet gjithnjë e më alarmante. Në Raportin e Freedom House mediat e Maqedonisë nga pjesërisht të lira, kaluan në grupin e mediave jo të lira.
Anesa Aliti

