Agjencia e Filmit e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka zyrtarizuar vendimin e Bordit Drejtues për mbështetjen financiare të projekteve me interes nacional në veprimtarinë filmike për vitin 2026. Në listën e sapopublikuar bëhet e ditur ndarja e buxhetit për 14 projekte të ndryshme kinematografike, ku përfshihen filma artistikë dhe dokumentarë të metrazhit të gjatë, si produksione shumicë ashtu edhe ato me pakicë (bashkëprodhime), përcjell INA.
Mbështetjen më të madhe financiare këtë vit e ka marrë projekti i metrazhit të gjatë artistik „Mbreti i plehrave“ në regji të Georgi M. Unkovskit (produksioni Cinema Futura), i cili do të mbështetet me një vlerë prej 30 milionë denarësh apo rreth 500 mijë euro.
Regjisori Ibrahim Deari me shtëpinë produksionale “Lumiere Film”, ka fituar një mbështetje të konsiderueshme prej 19 milionë denarësh apo mbi 300 mijë euro për filmin e tij të gjatë artistik të titulluar „Askush nuk e do Sadikun“. Pas tij renditet regjisori Jani Bojaxhi me projektin „Babai“ që siguroi 15 milionë denarë apo 250 mijë euro.
Ndërkaq, në kategorinë e dokumentarëve debutues dallohet regjisori Radovan Petroviq me filmin „Më dëgjo“, projekt ky i mbështetur me 1.5 milionë denarë apo 25 mijë euro.
Në zhanrin e dokumentarëve me produksion shumicë, mbështetje të fuqishme ka marrë regjisori i njohur Ljubomir Stefanov me projektin „Vorbulla e zhdukjes“, i cili do të financohet me 8 milionë denarë.
Agjencia e Filmit ka ndarë buxhet edhe për filmat tjerë kryesisht ko-produksione, duke mbështetur emra të njohur të skenës vendase dhe rajonale. Ndër to veçohen projektet filmike:
„Lëkurë qeni“ nga regjisorët Spartak Peçani dhe Redi Treni (2.5 milionë denarë).
„Ulurima e ujqërve“ nga regjisorja Tamara Kotevska (2.8 milionë denarë).
Filmat artistikë „Striga“ i Kristijan Miliqit (2.8 milionë denarë) dhe „Shëruesit“ i Lun Sevnikut (2.6 milionë denarë).
Sipas dokumentit zyrtar, vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë pas mbledhjes së Bordit Drejtues të mbajtur më 28 maj 2026, dhe të gjitha mjetet financiare do të mbulohen tërësisht nga Buxheti i Agjencisë së Filmit për këtë vit. Këto investime pritet të japin një impuls të ri për kinematografinë vendase dhe të pasurojnë prezantimin e saj në festivalet ndërkombëtare. (INA)


