Agjenci private sigurimi në institucionet kritike shëndetësore, patrulla mobile policie para Spitalit të vjetër të Qytetit, janë një pjesë e masave të dakorduara sot në mëngjes në takimin mes ministrave të Shëndetësisë dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Venko Filipçe dhe Oliver Spasovski dhe përfaqësues të personave zyrtar, pas disa sulmeve ndaj mjekëve.
“Ashpër i dënoj sulmet. Këto janë sulme që nuk kanë logjikë. Bëhet fjalë për punonjësit mjekësor të cilët punojnë 24 orë, luftojnë për jetët e më të afërmve të atyre që i sulmojnë. Edhe në të kaluarën ka pasur incidente të këtilla, madje edhe një koleg u qëllua me armë zjarri. Apeloj që veprat e tilla të dënohen”, deklaroi ministri Filipçe, i cili potencon se janë paraparë madje edhe dënime me burg për veprat e këtilla penale.
Për shkak pamundësisë të angazhohen ushtarë t’i ruajnë klinikat, në takim është konkluduar se mënyra më e mirë dhe më praktike do të jetë angazhimi i sigurimit profesional.
“Sigurim profesional do të angazhohet në katër vende më kritike. Njëri prej tyre është Spitali i vjetër i Qytetit. Këtu janë numri më i madh i rasteve. Ndodhin incidente me qytetarë të alkoolizuar. Sigurimi do të kujdeset për Qendrën e Urgjencës pranë Klinikës Universitare, klinikës së Toksikologjisë, Kardiologjisë dhe gjithsesi Klinikën e Psikiatrisë, i cili ka edhe mekanizëm të vet për ballafaqim me incidentin”, thotë ministri i Shëndetësisë.
MPB do t’u dalë në ndihmë institucioneve shëndetësore kështu që do të bëjë patrulla mobile që do të patrullojnë rreth spitalit të vjetër të qytetit.



