Ambasadorja amerikane Angela Ageler nuk i kupton ankesat e BDI-së se zgjedhja e VMRO-DPMNE-së për koalicion me VLEN-in në vend të tyre, si koalicion që fitoi më shumë mandate, është shkelje e frymës së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Në një intervistë për “360 gradë”, ajo tha se fitues është ai që zgjedh partnerët, por edhe se “Fronti Europian” dhe “VLENI” ishin në koalicion. Së fundi, sipas saj, është e rëndësishme që në qeverisje të ketë diversitet.
“Partia që fitoi zgjedhjet pati mundësinë dhe zgjodhi të krijojë një koalicion me grupet minoritare në vend. Është me rëndësi të madhe sepse ajo që i bën të dyja vendet tona kaq të pasura është diversiteti, grupet dhe komunitetet e ndryshme etnike dhe ajo që ato sjellin në demokracitë tona. Prandaj, jam i kënaqur që qeveria është e përbërë nga grupe të ndryshme dhe nuk ka asnjë detyrim ligjor që BDI-ja t’i bashkohet qeverisë. E di që ka çështje ligji kundrejt legjitimitetit, por fakti është se VMRO-DPMNE zgjodhi partnerë nga komunitete të ndryshme në vend dhe kjo është e drejtë e tyre. Ata zgjodhën ta bëjnë dhe ne do të shohim se si do të funksionojë ky partneritet”, tha Ageler.