Edhe tre ditë para përfundimit të afatit ligjor, presidenti Gjorgje Ivanov ende nuk ka ndarë mandatin për formimin e Qeverisë, ndërsa as nuk precizon se cilit lider do t’ia jep mundësinë të parit. Nga presidenca kanë thënë vetëm se mbeten në qëndrimin që ka thënë Ivanov, se do ta respektojnë Kushtetutën në dhënien e mandatit mandatarit për formimin e Qeverisë.
Kushtetuta e obligon atë që për 10 ditë pas thirrjes së Parlamentit, pra deri më 9 janar, t’i jep mandatin kandidatit të partisë apo partive që do të arrijnë të mbledhin të paktën 61 deputetë në parlamentin e ardhshëm, shumicën minimale për të formuar qeverinë e re. Përveç kësaj deri më sot nuk ka as njoftime se ndonjëra nga dy partitë, VMRO-DPMNE dhe LSDM, ka filluar bisedimet me partitë shqiptare.
Nga VMRO-DPMNE kanë thënë se ata janë fitues të zgjedhjeve dhe presin që liderit të tyre, Nikolla Gruevski, t’i jepet të parit mandate për formimin e Qeverisë. Nga ana tjetër, LSDM pretendon se në zgjedhjet e 11 dhjetorit, qytetarët kanë votuar për ndryshim dhe zotohen se ata do të formojnë koalicionin e ardhshëm qeveritarë.
Nga dy partitë kanë thënë se bisedimet do t’i zhvillojnë në periudhën në vazhdim gjegjësisht pas marrjes së mandatit nga presidenti. Pas marrjes së mandatit, mandatari do të ketë 20 ditë afat që Kuvendit ti propozojë kabinetin e ri të Qeverisë dhe programin qeveritar. Qeveria dhe programi duhet të marrin mbështetjen e të paktën 61 deputetëve në Kuvend.
Nëse nuk sigurohet kjo brenda 20 ditëve, atëherë lideri i partisë e kthen mandatin dhe atë presidenti ia jep partisë së dytë për nga numri I votave dhe deputetëve të siguruar në zgjedhjet e fundit.0
Jo zyrtarisht pritet që kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, të merr i pari mandatin për formimin e Qeverisë dhe të fillojë bisedimet me partitë politike shqiptare. Nëse ai dështon, atëherë mandate do t’i dorëzohet liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.