Të dashur aktivistë dhe ju anëtarë të Shtabit Zgjedhor të Alternativës, duke ndjekur në vazhdimësi gjendjen e rënduar shëndetësore, që ka ardhur si pasojë e virusit Covid 19, dhe tashmë ka kaluar në pandemi, ndërsa duke u gjetur edhe në vlugun e aktiviteteve për organizimin e fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 12 prillit, si dhe duke qenë në kontakt me drejtuesit e shtetit dhe të partive politike në vend, kam vendosur që t’i pezulloj përkohësisht të gjitha aktivitetet që potencialisht mund ta ndihmojnë përhapjen e sëmundjes.
Prej sot e deri në vendimin e ri shpall moratorium të të gjitha aktiviteteve publike dhe u bëj thirrje të gjithëve që t’u përmbahen udhëzimeve e rekomandimeve higjienike të institucioneve kompetente, duke shmangur çdo mundësi për përhapjen e sëmundjes.
Me këtë rast i falënderoj të gjithë aktivistët e koalicionit AlternAtivA & Aleanca për Shqiptarët që dje kanë qenë në shërbim të qytetarëve, duke ofruar dezinfektim nëpër mjediset më frekuentuese nëpër qytete dhe u bëj thirrje që, pa bujë e me shumë kujdes, të ofrohen për të ndihmuar gjithkund, por pa e vënë në rrezik veten dhe të tjerët. Ne gjithnjë duhet të jemi në shërbim të qytetarëve.
Duke besuar thellë në dashurinë e Zotit për krijesat e Tij, jam i bindur se ky virus do të kalojë dhe ne shumë shpejt do u kthehemi aktiviteteve tona.
Për fund apeloj që, në vend të panikut, të mbizotërojë kujdesi.
Ju faleminderit për mirëkuptimin!
Afrimi Gashi,
kryetar i Alternativës
14 mars 2020



