A kanë tentuar qarqe të larta të BDI-së ta fshehin aferën e prezencës së spiunit serb Goran Zhivaljeviq në Parlamentin e Maqedonisë, natën e 27 prillit?
Kjo pyetje imponohet pas informacioneve të fundit publikuar nga revista Fokus, që tregojnë se aferën me spiunin serb nuk e ka zbuluar ministria e Punëve të Brendshme (atë kohë ministër ishte Agim Nuhiu i BDI-së), por Sinisha Aleksovski, këshilltar për siguri i Presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
Të punësuarit në Agjencinë e Zbulimit thonë se Sinisha Aleksovski ka qëndrime antishqiptare. Mirëpo nëse ai si antishqiptar i dëshmuar ka zbuluar aferën e spiunit serb, atëherë si mund t’i quajmë ata shqiptarë që kanë tentuar (nëse kanë tentuar) të fshehin këtë aferë.
Edhe vetë Ministria e jashtme serbe ka konfirmuar se Aleksovski e ka zbuluar këtë aferë, duke theksuar se selfien e bërë në Parlament, Zhivaljeviqi ia ka dërguar vetëm Aleksovskit. Këtë selfie, Beogradi e merr si dëshmi se Zhivaljeviq ka njoftuar zyrtarisht autoritetet maqedonase për prezencën në Parlament.
Vuçiq ka menduar që shkaku i kësaj afere, të largojë ambasadorin maqedonas nga Beogradi, mirëpo ndërkohë janë marrë vesh që ky skandal të mbyllet në atë mënyrë që Serbia do ta tërheqë Zhivaljeviqin nga Maqedonia, kurse Maqedonia do të tërheqë përfaqësuesen e Agjencisë për Zbulim në Serbi, Irena Buzharovska. Serbia dhe Maqedonia kanë vendosur të ndërpresin shkëmbimin e informacioneve në sferën e shërbimeve sekrete.
Ndërkaq Tv Telma, më herët haptazi ka parashtruar pyetjen se pse ish ministri i Punëve të Brendshme Agim Nuhiu ka heshtur dhe nuk ka folur për prezencën e Zhivaljeviqit në Kuvend, deri sa afera nuk është zbuluar nga mediumet.
Në BDI tani për tani nuk ka ndonjë reagim zyrtar lidhur me këto informacione edhe pse burime jozyrtare partiake e pranojnë se qarqet serbe kanë ndikim të madh në partinë e tyre.