Nëna e 14-vjeçares, e cila u hodh sot nga kati i tretë i pallatit ku banonte në Korçë ka folur për News24.
Sonila Dhëmbi tha se e bija saj kreu aktin, pasi sipas saj e ajo bullizohej nga bashkëmoshatarët.
“U hodh se e tallnin fëmijët në lagje, i thoshin që “mamin ta morën në polici, jeni fshatarë”. Merrni masa se nuk më lenë rehat”, tha nëna e 14-vjeçares, e cila aktualisht ndodhet në spital për mjekim.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi sot rreth orës 15:20, në lagjen nr. 14, ku adoleshentja u vetëhodh nga kati i tretë i pallatit ku banonte. Aktualisht ajo po merr mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën
Rrëfimi i plotë
Burrin e kam në burg për dhunë në familje, kam katër fëmijë. Erdha në shtëpi nga Barmashi i Kolonjës, në lagjen 14 në Korçë. Vajzën e madhe ma kanë rrahur, edhe vajzën e dytë. Po shtohen bullizimet. Para dy ditësh e ka goditur çupën një vajzë në kurriz. I thashë asaj që ma goditi mos të më bezdisin vajzat time. Sot prapë i vajti çupës time ta godiste. Më goditi dhe mua në stomak dhe mua më morën në polici. Kur isha unë në polici, çupa u hodh nga kati i tretë. U hodh se e tallnin fëmijët në lagje, i thoshin që “mamin ta morën në polici, jeni fshatarë”. Merrni masa se nuk më lenë rehat.
NJOFTIMI I POLICISE
Korçë / Informacion paraprak
Rreth orës 15:20, në lagjen nr. 14, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i tretë i pallatit ku banonte, një shtetase e mitur, rreth 14 vjeçe, e cila aktualisht po merr mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.