Akif Emre, i njohur për kontributet e tij të mëdha në zhvillimin e mendimit në Turqi përmes gazetarisë dhe botimeve, nuk është harruar as nga miqtë e tij në Ballkan.
Prof. Dr. Adnan Ismaili, pedagog në Departamentin e Orientalistikës në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe drejtues i shtëpisë botuese Logos-A, thekson se i ndjeri Akif Emre ishte thellësisht ishte i ndjeshëm ndaj halleve të myslimanëve të Ballkanit.
Duke kujtuar lidhjen e ngushtë të Emres me rajonin, Ismaili shprehet: “Gjatë periudhës komuniste në ish-Jugosllavi, kur Akifi ishte student në Stamboll, banesa e tij ishte një vend takimi strategjik për myslimanët e Ballkanit, veçanërisht për shqiptarët dhe boshnjakët. Diskutonim vazhdimisht për çështjet e myslimanëve në Turqi dhe në Ballkan. Edhe atëherë, Akifi tregonte një ndjeshmëri të veçantë për këto tema”.
Ismaili kujton edhe udhëtimet e shumta që pati me Akif Emren në trojet e Ballkanit: “Shkuam së bashku në Sarajevë, ku kaluam shumë kohë me Alija Izetbegoviqin. Aty, Akif Emre realizoi edhe intervistën e tij të parë me Alijën. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, udhëtuam bashkë edhe në Shqipëri. Edhe atëherë, ai ishte i interesuar në mënyrë të veçantë për myslimanët çamë në Greqi”.
Akif Emre disa herë kishte vizituar Maqedoninë, ndërsa në lidhje me këto vizita miku i tij, Ismaili u shpreh kështu: “Ka vizituar Maqedoninë tre-katër herë. Organizuam bashkë takime kulturore dhe shkencore, si dhe forume të hapura për publikun. Veçanërisht ishte i preokupuar me mizoritë e serbëve në Kosovë rreth viteve 1999, të cilat i ndiente si plagët e veta”.
Ismaili shton se ajo që dëshiron të theksojë më shumë se gjithçka tjetër, është vizioni i gjerë që kishte gazetari i njohur turk, duke thënë:
“Akif Emre nuk ishte i kufizuar as nga koha dhe as nga hapësira. Kishte një vizion që i kalonte kufijtë e epokës dhe vendit ku jetonte”.
Në fund, Adnan Ismaili gjithashtu përmend edhe përkthimin e veprave të Emres në gjuhën shqipe: Ne si Logos-A kemi përkthyer në shqip dy libra të tij: “Gjurmë” dhe “Fletore pa Vija”, të cilat i kemi botuar për lexuesit shqiptarë në trojet tona.
Në fund, përkujtimet për Akif Emren, miku i tij Ismaili i kujton me dhimbje duke thënë: “Ai ishte një ndër ata intelektualë që sot na mungojnë më shumë se kurrë. Allahu e mëshiroftë pafundësisht”.