26 Tetor 2018 / 15:02
Konkurset masive për punësim në administratën e shtetit janë rezultat i largimit enorm të nëpunësve administrativ jashtë vendit. Ky është arsyetimi i ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski, pas reagimeve të opinionit se për çdo ditë pushteti ofron punësime nëpër institucionet e shtetit. Sektori publik është i stërngarkuar ndërsa një pjesë e institucioneve me muaj të tërë s’mund të gjejnë kuadër përkatës, shton Mançevski. Se sa persona janë punësuar këtë vit dhe marrin paga shtetërore, ministri thotë se kjo do të mësohet në muajin mars të vitit të ardhshëm, kur edhe publikohet raporti vjetor për vitin që po lemë.
Punësime në sektorin publik ka dhe do të ketë për shkak se institucionet kanë nevojë të madhe. Përveç që ka punësime të reja, ka edhe largime enorme për fat të keq të kuadrove që mungojnë edhe në sektorin privat dhe që vështirë mund të gjenden. Situata është e ndryshme në institucione të ndryshme. Kemi institucione që kanë konkurs të vazhdueshëm të hapur dhe askush nuk paraqitet, pasi në Maqedoni nuk ka kuadër të tillë përkatës- deklaroi Damjan Mançevski, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Para vetëm 24 orëve, ministri Mançevski paralajmëroi se do të zbatohet analizë e posaçme dhe rregullim të kaosit administrativ. Hulumtimi duhet të tregojë nëse ka nevojë të shfuqizohet një pjese e institucioneve, të ulet numri i Këshillave administrativ, me qëllim të punës më efikase të institucioneve. Tepricën e nëpunësve, pushteti ka vendosur ta transferojë edhe në ekonomi. Për momentin, nuk ka të dhëna sa persona janë bartur nga sektori publik në atë privat. Të dhënat e fundit janë se ka 1299 institucione shtetërore ndërsa nën ombrellën e shtetit punojnë rreth 130 mijë persona.
Ile Petrevski