Prej vitit që vjen, qytetarët nuk do të kenë nevojë të enden nëpër sportele për marrjen e dokumenteve, pasi këtë do të kenë mundësi ta bëjnë në një pikë të vetme në hapësirat e Drejtorisë së Evidencës të Regjistrit Amë.
Në sportelet e kësaj drejtorie do të mund të merren më shumë se 40 shërbime nga institucionet shtetërore, siç janë MPB, Agjencia për Punësim, Regjistri Qendror, Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Fondi për Sigurim Shëndetësor, Kadastra, Ministria e Lidhjeve dhe Transportit, Sektori për Transport Rrugor dhe Infrastrukturë, Drejtoria e Administratës Publike etj.
“Qytetarët në një vend do të marrin më shumë se 40 shërbime dhe informacione nga institucione të ndryshme njëkohësisht. Sportelet do t’u japin shërbime qytetarëve në dy turne. Ky do të jetë një hap i madh përpara drejt krijimit të një administrate publike, e cila do të jetë shërbim i vërtetë i qytetarëve. Me kënaqësi do t’u informoj se vitin e ardhshëm kjo pikë do të jetë funksionale dhe kjo është vetëm faza e parë në atë që ne e quajmë Qendra për Shërbime Publike në më shumë qytete të vendit”,- deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.
Për realizimin e këtij projekti të njohur si “Një pikë e shërbimeve” është nënshkruar Memorandum për bashkëpunim me UNDP-në, me ndihmën e së cilës do të bëhet analizë horizontale e organeve të administratës shtetërore dhe të agjencive.
Analiza po zbatohet për herë të parë në Maqedoni dhe konform saj, siç paralajmëroi Mançevski, do të bëhet riorganizimi i saj.