Fronti Europian nuk do të qëndrojë anash në garën për Qytetin e Shkupit! Këtë e konfirmoi sot zyrtarisht nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, gjatë një konference për media në kryeqytet. Ai deklaroi se koalicioni shumëetnik do të paraqitet me kandidat të vetin për kryetar të Shkupit, në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor informon Tetovasot .
“Fronti Europian do të ketë kandidat për Shkupin. Emri i tij do të shpallet së shpejti,” theksoi Ademi para gazetarëve, duke shtuar se ditëve në vijim do të bëhen publikë të gjithë emrat e kandidatëve për komunat, përfshirë edhe ata të Aleancës për Shqiptarët të drejtuar nga Arben Taravari dhe Ziadin Sela.
Ademi rikonfirmoi se Fronti Europian dhe Aleanca për Shqiptarët do të dalin me lista të përbashkëta, një lëvizje që sipas analistëve politikë do të përforcojë pozitën e tyre në shumë komuna urbane dhe rurale.
Kjo marrëveshje mes dy blloqeve shihet si një ofensivë elektorale e koordinuar, e cila synon jo vetëm konsolidimin e votës shqiptare, por edhe përfshirjen më të fuqishme në qeverisjen lokale të Shkupit, ku garat priten të jenë tepër të ngushta dhe me peshë simbolike.
Fronti Europian, i udhëhequr nga BDI, dhe Aleanca për Shqiptarët e Taravarit dhe ajo e Seles, po e pozicionojnë veten si alternativa të qarta përballë bllokut pozitar “Vlen”, duke paralajmëruar një betejë të ashpër politike në terren.TS