Alsat 2019-09-27T15:01:48+02:00
Të hënën, ministrit të Arsimit Arbër Ademi do t’i dorëzohet zyrtarisht propozimi i ri i komunës së Gazi Babës që ka të bëj me ndërtimin e një shkolle të re periferike në fshatin Idrizovë. Nga komuna thanë se propozimi do të dorëzohet pas takimit të nesërm me banorët e fshatit ku edhe pritet të merret pëlqimi nga prindërit për ndërtimin e shkollës së re fillore me mësim në gjuhën shqipe. Pavarësisht kësaj, ministri Ademi tha se ndërtimi i shkollës nuk mund të ndërtohet brenda një periudhe kaq të shkurtër. Madje, ai apeloi që raste te këtilla mos të shfrytëzohen për përfitime politike.
Për tre muaj nuk mund të kryhet ndërtimi i shkollës. Unë ja krenarë që deri para kësaj çështje të shkollës dhe hapjes së paraleles në gjuhën shqipe në Gazi Babë kemi mbajtur politikën larg zhvillimeve arsimore. Pse, që mos ta cenojmë, mos ta dëmtojmë cilësinë e procesit edukativo arsimor për të përfituar pikë të caktuar politik. Ky test që e patëm në komunën e Gazi Babës tregon se si klasë politike si lidership ende nuk jemi totalisht imun ndaj devijimeve e prapavijave të caktuara politike dhe politizimit të çështjeve të cilat janë të pastra arsimore – deklaroi Arbër Ademi, ministër i Arsimit.
Një ditë më parë, Komuna e Gazi Babës pas refuzimit që i bëri kërkesës për hapjen e paraleles shqipe pranë shkollës fillore “Njegosh” në lagjen e Jurumlerit, doli me vendimin për ndërtimin e një shkolle të re në Idrizovë ku do të kalonin të gjitha paralelet me mësim në gjuhën shqipe, pra mësimi do të zhvillohej nga klasa e parë deri në të nëntën, që përfshijnë afër 100 nxënës. Vendimi u njoftua pas një takimi mes kryetarit të komunës, Boris Georgievski, deputetit të LSDM-së, Muhamed Zeqiri dhe përfaqësuesit të këshillit të prindërve, Rizvan Seferi. Georgievski ndërtimin e shkollës e ka paraparë në afat prej tre muajsh, përkatësisht gjysmë vjetori i dytë i shkollës të fillojë në objektin e ri. Parcela për shkollën e re tashmë është caktuar dhe është në pronësi të komunës. Alsat, tashmë një dekadë ka raportuar mbi këtë problematikë që ka të bëj me mungesën e paraleleve shqip në Irizovë. Madje, në vitin 2011 ishte ngritur nismë për ndërtimin e një shkolle të re në Idrizovë por e njëjta kurrë nuk është përfillur nga institucionet përkatëse. Për këtë nismë të atëhershme ishte dhuruar edhe tokë për ndërtimin e një objekti të ri, por edhe ajo nuk u mor seriozisht nga udhëheqja e kaluar e Komunës Gazi Babë.
Melihate Rustemi
Loading…




