Nëse vendosim t’u japim mundësi institucioneve të arsimit të lartë të organizojnë provime në sesionin e korrikut me prani fizike, kjo do të jetë pas miratimit të protokollit konkret nga ana e Qeverisë, ndërsa i propozuar nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse.
Kjo është përgjigjja e ministrit të Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi në konferencën e sotme për shtyp në pyetjen e gazetarëve nëse mundet të organizohet mbajtje e sigurt e sesionit të provimeve në korrik.
“Ende është në fuqi dekreti me fuqi ligjore për zbatim të Ligjit për arsim të lartë, si dhe norma e paraparë imperative se mund të organizohen provime, kolokviume me mjete për komunikim elektronik, nëse institucioni për arsim të lartë siguron kushte teknike për kredibilitet të procesit të notimit të studentëve. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet për arsim të lartë, ashtu që edhe ditët paraprake edhe sot dhe ditët në vijim do të jemi në komunikim, ashtu që çdo vendim duhet të harmonizohet dhe të jetë në pajtim me rregullat ligjore”, tha Ademi.
Ai theksoi se në këtë periudhë kur kemi pandemi dhe gjendje të jashtëzakonshme të gjitha vendimet janë motivuar dhe udhëhequr nga interesi më i mirë për nxënësit, studentët, mësimdhënësit, profesorët dhe se me kohë është miratuar dekreti me fuqi ligjore me të cilin parashikohet se e gjithë veprimtaria në institucionet e arsimit të lartë do të organizohet dhe realizohet me mjetet për komunikim elektronik.
Ademi potencoi se edhe mbajtja e provimeve, kolokviumeve, mbrojtja e punimeve postiplomike, të magjistraturës dhe të doktoraturës, është vendosur nga fillimi i gjendjes së jashtëzakonshme të organizohet onlajn, duke pasur parasysh se çdo nxënës duhet të vazhdojë me arsimimin edhe në këto rrethana.
Lidhur me maturën shtetërore, Ademi informoi se në faqen e internetit për MASH-in janë publikuar edhe kalendari për organizimin e vitit shkollor për shkollat e mesme dhe të gjithë janë të njoftuar kur do të organizohet matura shtetërore vetëm për ata nxënës të cilët e kanë përfunduar arsimin e mesëm në vitin shkollor paraprak dhe të cilët nga një arsye apo tjetër nuk kanë arritur ta kalojnë maturën shtetërore.
“Të gjithë nxënësit të cilët e kanë përfunduar arsimin e mesëm 2019/2020 janë të liruar nga obligimi të japin maturën shtetërore dhe provimin përfundimtar, ndërsa do të marrin diplomë që do të ketë vlerë, si dhe diplomat e dhëna në vitet paraprake, do të kenë efekt të njëjtë ligjor dhe fuqi ligjore nga aspekti i regjistrimit në institucionet e arsimit të lartë”, sqaroi Ademi.
Ai përkujtoi se viti shkollor përfundon më 10 qershor përmes mjeteve për komunikim elektronik dhe i gjithë procesi arsimor, duke e përfshirë edhe notimin e nxënësve do të organizohet dhe do të zbatohet përmes mjeteve për komunikim elektronike. ar/



