09 May
Pavarësisht sfidave me të cilat po përballet Maqedonia, integrimi i saj në Bashkimin Evropian mbetet prioritet, theksoi Zëvendës-kryeministri për Çështje Evropiane, Arbër Ademi. Në ‘Ditën e Evropës’ Ademi tha se është koha t’i jepet fund krizës politike dhe sa më parë të formohet qeveria e re reformatore, që do të angazhohet për të ardhmen euro-atlantike.
Vendi im po kalon momente historike që kërkojnë vendime historike, jo çfarëdo vendimesh, por vendimet e duhura që do të garantojnë siguri për të gjithë qytetarët, që do ta kthejnë vetëdijen dhe hapin perspektivë – tha Arbër Ademi, Zëvendës-kryeministër për Çështje Evropiane.
Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar ftoi qytetarët e Evropës, të vendeve kandidate që bashkë me ato të vendeve anëtare të Unionit të përgjigjen se çfarë presim dhe çfarë bëjmë për BE-në në mënyrë që sipas Zhbogar, bashkërisht të zgjidhen si duhet sfidat me të cilat përballet Evropa.
Jetojmë në kohë të ndryshimeve, jetojmë në kohë të sfidave. Secili vend anëtar, vendet e rajonet të Ballkanit Perëndimor si anëtarë të ardhshëm, BE-ja vetë, qytetarët e Evropës do të bëjnë zgjedhjen se si të përballen me to, si të përballen me këto ndryshime, me këto sfida; si t’i zgjidhim ato vetë dhe si t’i zgjidhim si një grup, si një familje, si Union – u shpreh Samuel Zhbogar, Ambasador i BE-së në Maqedoni.
Maqedonia ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2004 ndërsa statusin e vendit kandidat e mori një vit më vonë. Në vitin 2009 BE-ja rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësim, megjithatë për shkak të krizave të shumta dhe ngecjes së reformave Maqedonia akoma është larg anëtarësimit në BE.
Anesa Aliti

