Koordinatori i LSDM-së në zonën e tretë zgjedhore, Aco Velkovski, ka reaguar për gjendjen e transportit publik dhe të komunikacionit hekurudhor në Maqedoninë Lindore.
Në reagimin e tij, Velkovski thekson se pas falimentimit të kompanisë “Auto Atom”, Koçani ka mbetur zyrtarisht pa lidhje të rregullta autobusike, ndërsa linja hekurudhore drejt Koçanit prej vitesh nuk funksionon.
“Hekurudhë pa trena, qytete pa autobusë – hallall ju qoftë!”, shkruan Velkovski.
Ai kritikon pushtetin për promovimin e segmenteve të rikonstruktuara dhe paralajmërimet për trena të shpejtë, ndërsa, sipas tij, pjesa lindore e vendit mbetet pa transport publik funksional.
Velkovski kritikon edhe marrjen e një kredie nga Britania e Madhe, për të cilën pretendon se kap vlerën prej 2 miliardë eurosh, duke pyetur pse merren borxhe të mëdha për projekte të ardhshme hekurudhore, ndërkohë që infrastruktura ekzistuese dhe lidhjet e transportit në Maqedoninë Lindore nuk funksionojnë.
Hekurudhën drejt Koçanit, Velkovski e përshkruan si shembull të neglizhencës shumëvjeçare ndaj infrastrukturës.
“E gjithë Maqedonia Lindore është lënë pa asnjë autobus të vetëm apo tren funksional”, shprehet Velkovski, duke shtuar se qytetarëve, sipas tij, u ofrohen premtime për “trena të shpejtë” dhe “taksi fluturuese”, në vend të transportit modern.
Në fund të reagimit, Velkovski e kritikon ashpër pushtetin dhe paralajmëron se premtime të njëjta, sipas tij, do të përsëriten edhe në programet e ardhshme zgjedhore.



