Aco Velkovski, koordinator i LSDM-së në Njësinë e Tretë Zgjedhore, ka publikuar një mesazh të hapur drejtuar kryetarit të partisë, Venko Filipçe, anëtarëve dhe simpatizantëve, duke kërkuar përgjegjësi, bashkim dhe konsolidim të partisë pas zhgënjimeve dhe humbjeve të njëpasnjëshme.
Velkovski vlerëson se LSDM-ja duhet të përballet hapur me problemet e brendshme, të rikthejë besimin e anëtarësisë dhe të ofrojë një vizion të qartë për qytetarët.
“LSDM-ja nuk është pronë private e askujt. Ajo është ide, histori, vlera dhe shtëpi e mijëra njerëzve që kanë besuar se kjo parti mund të sjellë një të ardhme më të mirë për Maqedoninë”, shkruan Velkovski.
Ai thekson se partisë i nevojiten guxim, vizion, përgjegjësi dhe lidership që do të rikthejë besimin, duke paralajmëruar se heshtja për problemet e brendshme nuk mund të jetë zgjidhje.
Në mesazhin e tij, Velkovski shpreh gatishmërinë për të marrë përgjegjësi për bashkimin dhe riorganizimin e LSDM-së, duke deklaruar se dëshiron të kontribuojë në krijimin e një force të re, të fuqishme dhe të organizuar socialdemokrate.
“Unë nuk dua të jem pjesë e shpërbërjes së LSDM-së. Dua të jem pjesë e rilindjes së saj!”, thekson ai.
Velkovski propozon një parti ku mendimet e ndryshme do të shihen si forcë, të rinjtë do të kenë perspektivë, ndërsa anëtarët me përvojë do të gëzojnë respektin e merituar. Ai gjithashtu kërkon ndërtimin e një opozite të organizuar, me program të qartë dhe zgjidhje konkrete për qytetarët.
Në fund të mesazhit, Velkovski nënvizon se gatishmëria e tij për të marrë përgjegjësi nuk lidhet me ambicie për funksione apo tituj, por me bindjen se LSDM-ja meriton një mundësi të re.
“Është koha për bashkim. Është koha për përgjegjësi. Është koha për konsolidim. Është koha për energji të re dhe një fillim të ri. Është koha që LSDM-ja të bëhet sërish forcë!”, përfundon Velkovski.



