Komandanti i Policisë së Gostivarit, Gazi Abdurrahmani është prononcuar rreth akuzave të Kryetarit të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari të bëra ndaj punës së tij, njofton Flaka.
“Në aspektin e deklaratës së Kryetarit të Komunës së Gostivarit, ne i jemi përgjigjur zyrtarisht. Kemi dërguar shkresë zyrtare deri te Komuna e Gostivarit. Sa u përket bastoreve ilegale, Policia e Gostivarit vazhdimisht ka marrë mase edhe në të ardhmen do të merren. Mediat i kanë informatat për masat e ndërmarra, dhe me përkrahjen e zëvendësministrit, zëvendësdrejtorit dhe drejtuesve të tjerë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të vazhdojmë të marrim masa në respektimin e ligjit”, tha Abdurrahmani, raporton Flaka.Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, javës së kaluar u drejtua me një shkresë zyrtare komandantit të Stacionit policor të Gostivarit, Gazi Abdurrahmani që të tregohet me korrekt dhe më tolerant ndaj mërgimtarëve të cilët qëndrojnë në vendlindje gjatë festave të fundvitit.
Kurse dje, në prononcimin për mediat Taravari deklaroi që Policia e Gostivarit nuk po ndërmerr asgjë në drejtim të mbylljes së bastoreve sportive dhe kazinove që funksionojnë ilegalisht në Gostivar, duke drejtuar gishtin nga shefi i Policisë, Gazi Abdurrahmani i cili, sipas tij, nuk është në krye të detyrës dhe vazhdon të jetë i njëanshëm duke drekuar e darkuar me funksionarë të lartë të BDI-së.