Shkruan: Abaz Emini, trajner i reprezentacionit në mundje, trajner i Klubit të Mundjes “Liria”
“Ministrat shpërblejnë servilët, jo kampionët! Çmimi “8 Shtatori” është fyerje ndaj sportit dhe kombit shqiptar!”
Nuk është hera e parë që institucionet e këtij shteti nëpërkëmbin mundin dhe meritat e shqiptarëve, por këtë herë maska ra plotësisht! Çmimi “8 Shtatori”, që duhej të ishte simbol i respektit për ata që kanë ngritur sportin dhe kombin, është shndërruar në turp dhe instrument të diskriminimit politik e etnik.
Unë, Abaz Emini, trajner i reprezentacionit në mundje, trajner i Klubit të Mundjes “Liria”, kampion në ish Jugosllavi dhe medalist europian, u anashkalova padrejtësisht. Jo pse mungojnë rezultatet, por vetëm pse jam shqiptar dhe nuk jam servil i pushtetarëve!
Në komisionin përzgjedhës ku nënshkrues është kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, vetëm një shqiptar ka vend, dhe ai shfrytëzon rastin e pozitës të shpërblejë vetveten. Ndërkohë, nën presionin e ministrit, puna, djersa dhe sakrifica ime u hodhën poshtë. Ironia është se të pesë kandidatët e shpërblyer së bashku nuk kanë më shumë pikë se unë, por gjithsesi ata u vlerësuan, unë u fshiva.
Kjo nuk është vetëm padrejtësi ndaj meje si sportist dhe trajner. Është fyerje ndaj sportit të mundjes, ndaj gjithë sportistëve shqiptarë dhe ndaj çdo brezi që ka ngritur, që ka arritur rezultate në vend dhe në arenën ndërkombëtare.
Sporti duhet të bashkojë, jo të ndajë! Ju, me duart tuaja, po e ktheni në arenë përjashtimin dhe poshtërimin.
Unë nuk kërkoj mëshirë, nuk kërkoj privilegj, kërkoj drejtësi!
Drejtësi për punën, për djersën dhe për kontributin që i kam dhënë sportit dhe kombit tim. Çdo padrejtësi e tillë është shuplakë jo vetëm për mua, por për gjithë shqiptarët që e kanë bërë sportin krenari kombëtare.
Por ,ta dini të gjithë ju se për këto padrejtësi e poshtërime, jo vetëm unë, por edhe shumë gjenerata pas nesh do t’ju mallkojnë. Historia nuk i fal ata që përbuzin djersën dhe mundin e sportistëve të vet!