Partia e cila është pjesë e koalicioni qeveritar, Alternativa e ka përshëndetur propozimin e dytë francez, që përbën një kornizë të volitshme, e cila, sipas tyre, e hap mundësinë e fillimit të negociatave për aderim në Bashkimin Europian edhe për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ata gjithashtu kanë bërë thirrje për kohezion shoqëror dhe shtetëror rreth këtij propozimi.
Sipas tyre, ky është propozimi më i mirë që ka ardhur ndonjëherë e me të cilin Maqedonia e Veriut e fiton perspektivën europiane pa e vënë në rrezik identitetin etnik të maqedonasve dhe gjuhën maqedonase.
“Për këtë arsye, ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike në vendin tonë që ta marrin seriozisht këtë propozim dhe të mos lejojnë që për përfitime të pakta elektorale ta dëmtojnë një shans historik dhe një synim të shumë brezave. Përveç spektrit politik, ky propozim duhet të gjejë mbështetje edhe nga strukturat e tjera shoqërore, sepse një zgjidhje e këtillë i sjell fryte dhe të ardhme të ndritur mbarë shoqërisë”, thonë nga atje.