Rreth romanit të ri të shkrimtarit Preç Zogaj “Anjeza nuk u zgjua”
Vjen një mëngjes, ngaherë vjen një
mëngjes,
Ose bie shi, bie shi me litarë
dhe vetmia lind përsëri,
dhe ndarja ka një moshë,
për shembull një vit, dy ditë, tre orë …
Rritet moj, rritet, ndarja jonë.
Këtu kemi qenë, kemi shkuar kaq pranë.
Na kanë ndarë mure, xhama, pemë,
na ka ndarë syri ynë!
Por endet një muzg përzier me brymë,
jam krejt i sigurt tani dhe kam frikë
se një ditë do të vish duke qeshur.
Jam krejt i sigurt se do qajmë
nën sytë e qeshur.
Isha gjimnaziste shkruan Eli Kanina kur poeti Preç Zogaj ma bëri të ditur me leximin e kësaj poezie se fillimi i çdo fillimi, I çdo mëngjesi apo muzgu, çdo kthimi a dalje nga shtëpia, çdo piktakim apo kohëndarje, çdo frymëmarrje në jetë, do më shoqëronte me dilemën aq të bukur të vargjeve “a thua do të vish duke qeshur?!”
Mjaftojnë këto vargje për të kuptuar se IN LOVE , është komplet dita e jeta e njeriut, është ekzistencë dhe privilegj, pikërisht edhe e autorit të këtyre vargjeve, Preç Zogaj. Dashuria jeton në poezinë e sublimes, ku drita është lëndë e çdo forme. “Dashuria dhe erosi nuk janë produkt i pasnëntëdhjetës- thotë vetë autori Preç Zogaj në prezantimin e romanit të ri. – Ajo ka qenë, është e do të jetë bashkëshoqëruese e njeriut në të gjitha kohët.”
Mund të ketë ndryshuar këndvështrimi apo qëndrimi ndaj dashurisë, prirja për ta shndërruar në konsum e interes. Nga dëshira për tu dukur i lirë, apo nga nevoja për liri, ndjenjat manipulohen e dashuria ndonjëherë del tepër. Ndryshe nga dikur kur idealizohej e vendosej përmbi gjithçka.
Dashuria ka ekzistuar në të gjitha kohërat, herë si bekim e herë si mallkim. Ndjenjat dashurore kanë qenë po aq të bukura dhe pjesë e jetës edhe në realizimin socialist. Edhe si një frymëzim i brendshëm njerëzor, edhe si një motiv i fortë për të përballuar atë presion që e tkurrte njeriun me mungesat dhe ideologjitë.
Mungesa e lirisë, tabutë që ia zinin frymën, e bënin anemike, por nuk e tjetërsonin dashurinë. Autori Preç Zogaj, na i ka sjellë pështjellimet e dashurisë kaq të forta, qysh në botimin e 1990 “Shëtitorja”, tek novela “Vjeshtë në Ujastër”. A nuk kishte në sjelljet e Rudianit dhe Margaritës, ngjyra e nuanca të një dashurie të bukur? Një dashuri si një sfidë që për kushtet e rrethanat e vendit apo kohës kur u sprovua, mbeti një buzëqeshje malli a pengu mes tyre.
Si një varg i Xhuzepe Ungaretit ” e dashur, e largët, si në pasqyrë”, duket ajo dashuri, teksa përpiqem ta krahasoj me “Anjeza nuk u zgjua”, romani i sapoprezantuar i po këtij autori. Të dyja kanë temën e dashurisë të së njëjtës periudhë. Ajo që i ndryshon është transformimi që autori ka pësuar në optikën e tij , në diferencën kohore të shkruarjes së secilës ngjarje.
Ndërsa lexoja dikur autorin Preç Zogaj, merresha me fatin e personazheve të tij, dhe si lexuese përftoja emocionet e mia. Duke lexuar romanin e ri të këtij autori, e gjej veten në një kurth befasues. Personazhet shkojnë e vijnë tek unë në funksion të kuptimit të autorit. Më duhen ata, por nuk më intereson fati i tyre.
Përpiqem të kuptoj nëpërmjet tyre, dashurinë e Preçit, ndryshimet e tij pas kaq vitesh në raport me të. Duket sikur përvoja e tij me dashurinë shkon në përpjestim me vitet. Sa më larg në kohë, aq më i qartë imazhi i dashurisë që ka jetuar e përjetuar.
Në roman, ngjarja zhvillohet në Lezhë, një krahinë ku Preçi e njeh mirë sepse ka lindur e jetuar, çka e bën të sigurtë penën e tij, për ta ndier e besuar edhe unë si lexuese gjithçka ka ndodhur atëherë.
Duket se kësaj here autori i shndërruar në radiolog, kirurg apo një anatomopatholog, e ka marë shtruar dashurinë, ta kqyrë thellë e thellbësisht në tryezë e tij. Një radiografi, një skaner, një ndërhyrje aty ku plaga nuk shërohet ndryshe, duket se është qëllimi i autorit për të na e dhënë dashurinë ashtu siç është, siç e do dhe siç duhet të jetë.
Shpjegues në çdo detaj rrëfyes, me prerje tërthorazi por edhe drejtpërdrejt, autori na e sjell dashurinë, si lëkurë mbështjellëse e jetës, si muskul që në rrethana të caktuara na jep forcë, si palcë brenda kokallës që na zgjat jetën por edhe i jep shije jetës, si një pleksje fijesh prej nervash e gjakrash, që në fund të fundit na mban gjallë. Ndonjëherë lumturisht, ndonjëherë jo. A mos ishte dashuria në origjinë të një rindërtimi dhe prarimi të kokallave, lëkurës, syve?
Autori e fillon romanin me ato shenjat e para të ndjesisë, që përpëlitet të duket si dashuri, derisa të ndjehet si e tillë. Por jo vetëm ndjenjë, edhe akti si një përgjigje e trupit e reagim pasues i ndjenjave.
Paralel me pubertetin, me pushin e qimëzimin, me zhvillimin e gjoksit vajzëror e deri në briskun e parë në faqe tek djemtë, dashuria ka aktet e saj që e konfirmojnë dhe e pjekin përvojë pas përvoje. Këtë autori e sjell nëpërmjet përjetimit e përvojave të para të Davidit. Të bërit seks në atë kohë e atë moshë, ishte nga dashuria por edhe rrethanë e rastit. Rastësinë nga dashja i ndan një fije peri në një qytet të vogël.
Dashuria e asaj kohe që perifrazohej me shprehjen “E ka filanen”, kishte parasysh mes dy njerëzve, përndezjen e skuqjen e fytyrës, fluturat në stomak, prekjet shkarazi apo edhe puthjet në ndonjë qoshkë larg njerëzve a në një skutë të errët. Përtej këtij platonizmi, vjen një moshë ku teksti të tradhëton e ta nxjerr kallajin. Fillon të mbushesh me frymë e fryma nuk të mjafton. Kërkon një fjalë që të thuhet shpejt e të mbahet mend gjatë. Qëndron përballë me dikë, lumturisht të dashuruar, si dy hije që nuk duan të bëhen njerëz njëherë përnjëherë.
Kështu gjenden Davidi e Anjeza në puthjen e parë: – që nuk mësohej, që dihej, që jepej e merrej, që fillonte gjithnjë nga fillimi, një herë e parë e përjetshme.- siç e përshkruan Preçi.
Zoti do të mbajë shënim një dështim të dashjes së tij- vazhdon më pas autori. Është momenti kur Davidi sheh “njollat e shprishura të gjakut si prekje gishtërinjsh në njërën kofshë të saj”. Paskësaj një përqafim me Anjezën, një përqafim i tillë që nuk do të përsëritej më në jetën e tij.
Virgjëria është trajtuar në shoqërinë tonë si një tabu e ditës së parë të martesës që askush nuk guxonte ta thyente. Ndryshe targa e kurvërisë apo imorales do ta ndiqte gjithandej vajzën ( vetëm vajzën për çudi!) duke e shndërruar në fatpadalë apo më keq në vetvrasje. Ndërsa njohim rastet e martesave të palumtura për shkak të mungesës së një himeni, apo vrasjet, vetvrasjet e hakmarrjet për zhvirgjërimin, desha të kujtoj një akt edhe më barbar. Rastin e mësueses tropojane Rukie Rama, që kërkoi një raport mjeko ligjor për të vërtetuar nderin e saj. E burgosur dhe e akuzuar për çfarëdolloj arsyeje politike që shteti i vuri mbi shpinë si një e arratisur në tentativë, ajo qëndroi dinjitoze, deri në aktin absurd të dokumentimit të ndershmërisë.
Ndërsa zhvirgjërimi nga dashuria mes dy njerëzve është një përjetim i bukur që e përligj këtë akt kurdo dhe kudo që të ndodhë, nuk mund të jetë justifikim për dhunimin e një vajze për asnjë arsye. Autori na tregon se mirësjellja dhe skrupujt qëllojnë t’u ngrenë kurthe e mure të pakapërcyeshme vajzave në kërkim të realizimit të ëndrrave të tyre.
Si në rastin e Anjezës që shkoi të konkuronte në ILA Tiranë, me ëndrrën e qashtër për tu bërë aktore.Edhe pse e bukur e plot kulturë, ajo u sfidua nga shoqëria e sërës së lartë kryeqytetase, nga kurioziteti i mënyrës së të shijuarit të jetës të bijve e bijave të deputetëve, ministrave e bllokmenëve të kohës. Arti dhe alkoli janë një dyshe e pandashme, për “të rinjtë modernë” që e quajtën Anjezën që në prezantim një artiste.Kaq do ti mjaftonte naivitetit të Anjezës, për të vazhduar ti ndiqte në mbrapështinë e mendjeve të tyre të llastuara. Me ndjenjën e fajit që nuk dinte të mbante pijen, me ndjenjën e borxhit për ndihmën që ata i dhanë ta fitonte konkursin, ajo i ndihmoi rrethanat ta kthenin nē viktimë të përdhunimit. Por, si mundet një vajzë të gjejë mënyra për t’i bërë keq vetes?
Viktimë e përdhunimit, e fatit të parashkruar apo e papërgjegjësisë ajo vuan dyfish. Sepse viktimës i numërohen dobësitë. Ç’iu desh një provincialeje me djemtë bossa, në mes të natës, në një apartament a studio bosh? Ndoshta naiviteti, mirsjellja e mosdija po e dënonte në kanapenë e studios asaj nate.Ndoshta, të mos qenit e virgjër, i bënë dhunuesit të mos ndihen fajtorë dhe aq më pak të mos dënohen, për shkak të pozicionit të prindërve. Tek e fundit përdhunuesit as që e mendonin si përdhunim atë që kishin bërë. Meqë nuk e morën me zor, ajo nuk mund ti denonconte. Në këtë mënyrë turpi për Anjezën bëhet hëm i madh, hëm i pandëshkueshëm. Njeriu mund të jetë fatkeq, por nuk mund të jetë edhe fajtor, sa kohë që nuk ka shumë në dorë.
Shpëtimtari është gjithmonë me vonesë! Davidi, me ndjenjën e përgjegjësisë, jo të mëshirës për gjendjen postraumatike të Anjezës, përpiqet ta dëshmojë dashurinë e tij duke u martuar me të. Një gjë është detyrimi, tjetër gjë është përgjegjësia, na bind autori Preç Zogaj, për veprimin e Davidit. Pasi fatkeqësia e asaj që i ndodhi Anjezës nuk mjaftohet t’i nxijë jetën, i mbyll edhe rrugëdaljet. Davidi dëshiron ta ndihmojë që ajo të rillidhet me veten, me të dashurin, familjarët dhe të tjerët, sepse e keqja bën gjëma, por vdekja s’ka shërim. Përvoja e hidhur e Marta Ballgjinit, e ngutin deri në fiksim të parandalonte aktin vetvrasës,ta shpëtonte Anjezën e tij, dashurinë e tij, pa mundur t’ia dalë. “Dashuria ishte një gjë e vështirë, e paarsyeshme, e thyeshme, e ngulshme në shpirt si copat e qelqit në mish, që duan shumë kujdes të hiqen e kushedi a hiqen të gjitha nëse vjen puna për ti hequr” na e kujton edhe një herë autori strumbullarin e gjithë romanit. Një roman ku të dashuruarit kthehen në heronj të dëshpërimit.
Sytë e Anjezës, me shtresë transparente, sytë e dyfishtë, që nuk i kishte pasur kush në Lezhë, u mbyllën njëherë e mirë për të fshehur tmerrin e pësimit, nga ky realitet i ashpër paragjykues. Davidi, i verbuar nga dashuria, iu mbështet në sup me sytë mbyllur, në pritje të merrte nga gjumi i saj. Dikur vonë, por Davidi u zgjua.
Anjeza do të zgjohet atëherë kur njerëzit ta jetojnë lumturisht e lirisht dashurinë, pa paramendim e prapagjykim dhe ta trajtojnë një vajzë me me brishtësinë e lules. Kur të shkojnë drejt njëri tjetrit jo me ndjenjën e fajit, viktimës apo sunduesit, por me dëshirën për të qenë pa kushte me njëri tjetrin, për njëri tjetrin, të njëri tjetrit. Kur të mos nëpërkëmben, përbalten e këputen më lulet, por të mbillen sa më shumë në kopshtin shumëngjyrësh të dashurisë. Atëherë Anjeza do të zgjohet…