A po e gjejnë investimet dhe ndihmat turke përgjigjen e duhur të reciprocitetit në Tiranë?

A po e gjejnë investimet dhe ndihmat turke përgjigjen e duhur të reciprocitetit në Tiranë?

Bujar M. Hoxha

Një muaj pas një vizite tepër të suksesshme të kreut të qeverisë shqiptare në Ankara, është me vend të shihet ajo nga kënde të ndryshme, më së pari nga niveli i reciprocitetit konkret. Nga çfarë perceptohet, ka një mungesë ekuilibri në sjelljen ndërsjelltas të dy palëve, ku duket se shteti shqiptar ka të shtrirë dorën vetëm për të marrë. Një përfundim i arritur duke i parë zhvillimet të shtrira në kohë në vite, jo në muaj.

Vizita në Ankara në fillim të janarit e kryeministrit Rama ringjalli fuqishëm në kryeqytetin shqiptar si gjithmonë sentimente të kundërta: një palë, optimiste, besoi se në fund fare marrëdhënia e shkëlqyer shtetërore aktuale shqiptaro-turke, por edhe personale mes dy shtetarëve, kryeministrit Rama dhe presidentit Erdoğan, do të prodhonte rezultate të prekshme dhe në të tjera fusha veç ekonomisë, posaçërisht në njërën, ende pa një përgjigje të kënaqshme, dhe e priti mirë vizitën, dhe pala tjetër, e indoktrinuar nga historiografia jonë e shtrembëruar, e pushtuar nga ndjenja antiturke (një pjesë e mirë me rrënjë antiislame), kundër Ramës dhe pushtetit të socialistëve (apo të Rilindjes, siç pëlqejnë ta thonë), me individë të nxitur a të paguar nga qarqe të caktuara, të karakterizuar nga tonet e urrejtjes dhe provokimit, gjeti një tjetër rast për të shpërthyer. Këta të fundit u shkrinë bashkë, kundërshtarët e Ramës në pushtet dhe kundërshtarët e marrëdhënieve në nivel të lartë me Turqinë.

Të pavërteta të shitura si të vërteta, injoranca e përzier me urrejtje, u bënë shkas për komente dhe pikëpyetje të pakuptimta, shpesh dhe qesharake, duke i ardhur në ndihmë pikërisht atij që kërkonin të godisnin.

Pompoziteti i pritjes së kryeministrit shqiptar në pallatin presidencial turk u shit si ekskluzivitet për Ramën, çka e bënte (sipas kritikëve; jo, më saktë, sharësve dhe atyre me logjikë banale) logjike dyshimin se diç fshihej pas kësaj, diç jo e mirë për Shqipërinë. U harrua, ose u desh të mos kujtohej, që e njëjta pritje i qe rezervuar dhe ish-presidentit Nishani prej homologut të tij turk në dhjetor të 2016-s; një ceremonial për çdo vizitë të nivelit të lartë në Ankara.
Një varg marrëveshjesh u nënshkruan mes presidentit pritës dhe kryeministrit mysafir, të gjitha gati me një drejtim: investime të Turqisë në Shqipëri, kryesisht në kulturë, arsim dhe shëndetësi, midis tyre ndërtimi i një spitali për vetëm tre muaj. Marrëveshjet parashikojnë krijimin e një këshilli për bashkëpunim të nivelit të lartë me Turqinë, por mbetet për t’u parë gatishmëria e qeverisë shqiptare për t’iu përgjigjet reciprokisht investimeve dhe ndihmave të shtetit turk.

Duhet nënvizuar me forcë se një zhvillim si ky nuk ishte i rastësishëm, as i lidhur me nevoja të çastit të shteti turk, por vijim i një politike të qartë tradicionale për të investuar në Shqipëri dhe për ta ndihmuar këtë vend, dhe shqiptarët në tërësi; një politikë e pandikuar asnjëherë nga pushtetarët e radhës në Ankara.
“Jam sot vërtet krenar që m’u dha mundësia dhe nderi të nënshkruaj këtu, në emër të Republikës së Shqipërisë, me presidentin Erdoğan deklaratën për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, gjë që e ngre partneritetin tonë të shpallur strategjik në stadin e një marrëdhënieje institucionale ndërqeveritare,” thoshte nga ana e tij Rama në deklaratën për mjetet e informimit në Ankara në krah të presidentit Erdoğan.
Por një partneritet i tillë strategjik rrezikon të vihet në dyshim nga tekat e qeverive të ardhshme shqiptare nëse nuk merr një ratifikim në parlament.

Serioziteti i këtij partneriteti strategjik duhet të kalojë nëpërmjet çimentimit institucional, në këtë rast nëpërmjet një ratifikimi parlamentar që e bën atë të detyrueshëm për çdo qeveri pasuese.

*

Disa javë pas vizitës, zhurma dhe pritshmëritë e lidhura me të janë fashitur. Vizitën ta kujtojnë vetëm lajmet e përditshme për ndërtimin e spitalit në Fier, ku rrota e qerres së shtetit shqiptar lëviz paksa ngadalë përkundër premtimit të dhuruesit për ta ndërtuar atë në tre muaj. Pamjet televizive nga kantieri i ndërtimit të banesave në Laç e japin të plotë dallimin në shpejtësi mes seriozitetit të Turqisë në mbajtjen e fjalës dhe rehatisë sonë simptomatike.
Dhe kur flasim për pritshmëritë, përveç atyre të aspektit ekonomik, që mund të thuhet se janë përmbushur, ato lidhen në një masë (për aq sa ka të bëjë me ndjeshmëritë e një pjese të publikut, përgjithësisht të besimit islam apo/dhe të tërhequr nga magjepsja që krijon Turqia e sotme) me shpresën se Rama do t’u tregojë më në fund vendin (ligjërisht, kuptohet) individëve dhe institucioneve me pikëpyetje në veprimtarinë e tyre, antiturke në thelb.

Këtë pritshmëri ngjan ta ushqejë vetë pushteti, ndoshta vetë kryeministri, pasi ndodh gjithmonë që në kohën e cila i paraprin një vizite të tij në Turqi nisin e qarkullojnë fjalë për ngjarje të pritshme në të ardhmen e afërt në këtë aspekt. Pritshmëritë, në fakt, nuk kanë gjetur deri më sot asnjë shteg për përmbushje.

Në vizitën e para një viti në Tiranë, ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, do të nënvizonte në konferencë shtypi se, “Nuk duam që Shqipëria të jetë një portë sigurie për FETO-n. Prania e anëtarëve të FETO-s vë në rrezik sigurinë kombëtare të Shqipërisë.”
Kaq e thjeshtë, e njëkohësisht kaq e ndërlikuar, është çështja. Dhe nëse duhet një emër, një institucion i kapur, ndonëse në dukje me mëvetësi, apo autonom, ai është Komuniteti Mysliman Shqiptar, madje me rol sfidues. Shkollat janë një histori më vete…
*
Një kartë duhet gjithmonë për vizitat në Ankara apo Stamboll; mekanizmi më jep të jap kërkon diçka, sado të vogël. Dhe një pritshmëri e krijuar në Tiranë artificialisht, e nxitur nëpërmjet kanalesh lehtësisht të vëna në punë, nxit natyrshëm dhe një kundërvënie, me shumë mundësi dhe kjo deri diku artificiale.
Goditja mediatike, dhe politike, po të doni, që i vjen Ramës sa herë vjen e shkon në kryeqytetin dhe në megaqytetin turk i shërben bukur atij. Kjo është (sugjerohet vetiu të jetë) karta: ne jemi të gatshëm të bëjmë çfarë doni, çfarë në të vërtetë duhet bërë, por ja, e kemi shumë të vështirë, sepse atmosfera tek ne është shumë e ndezur dhe është e vështirë të veprohet!
Të jetë kështu? Pse jo? Ky është një prej drejtimeve nga të çon arsyetimi, një prej mundësive që të japin provat në terren, përkundër asaj që mund të jetë nëntëshëm një tjetër e vërtetë, ajo e kryeministrit, ndoshta me duar të lidhura, ndoshta në aktivitet dhe në pritje të rezultateve. Realiteti deri më sot i jep të drejtë arsyetimit të mësipërm.

*

A nuk u ngjall shpresë kur u afrua momenti i ndërrimit të kryetarit në KMSH para dy vitesh? A nuk qarkulluan me bollëk skenarë për largimin nga ky institucion të njerëzve me maskë (tani dhe në fytyrë, kinse antikovidiane)? Shpresa u kthye në zhgënjim, të rëndë madje për lehtësinë me të cilën uzurpuesit zëvendësuan njëri-tjetrin.
E njëjta histori përsëritet, u përsërit dhe këtë herë. Thashethemet u lënë vendin planeve të pretenduara, emra individësh pasojnë, ndërkohë që konkrete nuk ka asgjë. Mungon vullneti? Pamundësi?
Nëse kërkohet të paraqitet për bilanc mbyllja e dy medreseve në Kavajë e Korçë para pak muajsh, më mirë të mbyllet goja. Sepse çdokush e di se ato u kërkuan të vetëmbyllen nga administruesit e tyre pasi u rrënuan institucionalisht dhe materialisht po nga ata. Përgjegjësia ishte tërësisht e KMSH-së, e njerëzve të lënë për t’i administruar medresetë, që dihej se kush ishin. E megjithatë mbyllja u dha mediatikisht si luftë kundër organizatës në rreth të kuq në Turqi. Kështu u paraqit dhe vetëmbyllja e një shkolle private në Tiranë.

*

Në të vërtetë, përtej këtyre pikëpyetjeve, përtej asaj që mund t’i vishet si kritikë kryeministrit aktual, ka dhe gjëra të tjera për të cilat përgjegjësia nuk duhet kërkuar tek Rama.
Në vizitën e mesit të majit të 2015-s në Tiranë, një vit para grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, presidenti Erdoğan do të thoshte në fjalën e tij në përurimin e nisjes së punimeve për xhaminë e re se, “Siç e dini, ne po luftojmë kundër një strukture paralele shtetërore në Turqi. Ne e njohim zyrtarisht këtë strukturë… si organizatë terroriste. Ne do ta vazhdojmë luftën tonë kundër kësaj organizate anembanë botës. E di se kjo organizatë ka disa veprimtari në Shqipërinë mike…” (Faqja zyrtare në anglisht e presidencës turke; “President Erdoğan Attends Groundbreaking Ceremony of Tirana Namazgah Mosque”, 13. 05. 2015)
Dhe për çudi, në ceremoni ishte i pranishëm kryetari i KMSH-së, institucionit që e mishëronte më së mirë kapjen prej pikërisht asaj organizate të vënë në shenjë me të drejtë nga shteti turk!!! Dhe për çudi, protokolli për xhaminë e re do të nënshkruhej pikërisht me atë KMSH!!! Dhe për çudi, e tërë procedura e ndërtimit dhe e të drejtave pas ngritjes së kësaj xhamie do t’i lihej në dorë kësaj KMSH-je!!!
Dhe ja ku jemi sot kur kërkohet të ndryshohet protokolli dhe t’i hiqen të drejtat e dhuruara çuditshëm një institucioni që arbitrarisht dhe paturpësisht i ka prishur plotësisht marrëdhëniet me Diyanet-in turk, ndërtuesin e xhamisë së re!

*

Fakt si ky i mësipërmi veç e shtojnë pamundësinë për të dhënë përgjigje, por njëkohësisht dhe vënë në pah. Si, për shembull, se prej asaj vizite e më parë qeveria shqiptare ka patur të njëjtin njeri në krye të saj, një kohë e gjatë dhe e mjaftueshme për t’u treguar reciprokë në marrëdhëniet me Turqinë.
Pavarësisht pengesave, presioneve, e shumë kushteve të tjera, do duhej të ishte dhënë një shenjë konkrete e vullnetit të mirë për çfarë u fol më sipër. Por, sa keq, mbetemi ende te fjalët.
Qeveria shqiptare, kryeministri Rama në veçanti, si nxitës i ngrohjes më të madhe të marrëdhënieve dypalëshe, janë megjithatë në kohë për ta treguar këtë vullnet të mirë jo vetëm me fjalë.