“Nëse jeni të sigurt se doni të shkojmë në zgjedhje le të shkojmë dhe t’i matim forcat, bashkë me zgjedhjet lokale të bëjmë edhe zgjedhje parlamentare. Nëse doni ju, unë nuk kam problem që tani ta dakordojmë atë punë”, tha Hristijan Mickoski.
Para 5 muajve në seancën e parë për pyetje deputetësh këtë e tha kryeministri Hristijan Mickoski duke iu përgjigjur sfidës së kryetarit të LSDM, Venko Filipçe i cili kërkoi dorëheqjen e tij.
Javën e kaluar Mickoski tha se jo të gjitha partitë opozitare kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe përsëriti se nëse pajtohen për zgjedhje të parakohshme, ata janë të gatshëm, këtë e konfirmuan edhe nga partia e tij.
“Absolutisht VMRO-DPMNE nuk ka asnjë dilemë të ikë nga ballafaqimi me qytetarët dhe mendimin e tyre në zgjedhje. Gjithmonë jemi të gatshëm ta dëgjojmë zërin e popullit në zgjedhje”, deklaroi Brane Petrushevski.
Edhe pse është e logjikshme që opozita të kërkojë zgjedhje të parakohshme, nga LSDM thonë se deri më tani nuk kanë kërkesë të tillë.
“Kërkesë të këtillë zyrtare LSDM nuk ka marrë. Nëse është dërguar ne jemi të gatshëm për të biseduar dhe pastaj të dalim me qëndrim zyrtar”, tha Metodija Ilievski.
Nga koalicioni VLEN mendojnë se nuk nevojiten zgjedhje të parakohshme. Pas spekulimeve për ristrukturime të mundshme para zgjedhjeve të mundshme të parakohshme nga ana e ministrit të shëndetësisë, Arben Taravari, ai e hodhi poshtë këtë pohim. Nga BDI gjatë muajve të fundit vazhdimisht kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare duke thënë se ky pushtet nuk është legjitim për shkak se pjesë e tij është koalicioni me besim më të ulët nga qytetarët.