Dionis XHAFA
Me gjasa pritet që pasi të mbërrijë në Shkup komisioneri i BE-së Johanes Hahn , kryeministri i vendit Nikola Gruvski të japë dorëheqje, duke i hapur kësisoj rrugë zgjedhjeve të parakohshme.
Pas kësaj, kryeministër do të jetë një figurë politike që pak ndoshta njihet dhe përkohësisht, derisa të mbahen sërish zgjedhjet, ku lufta e ashpër zhvillohet në kampet kundërshtare kryesore, VMRO dhe LSDM.
Të shumtë kanë qenë politologët që hedhin idenë se edhe pse kryeministri për disa kohë nuk do të jetë Gruevski, në fakt ky i fundit do të dirigjojë kreun e ri të qeverisë, duke qenë drejtues në hije. Pra, Gruevski nuk ikën edhe pse nuk do jetë kryeministër, pasi hija e tij me siguri do të vërtitet sërish në “fronin më të lartë politik” të Shkupit.
Pas një qeverie të përkohshme, pas mbajtjes së zgjedhjeve, me siguri që Gruevski rizgjidhet sërish kryeministër i Maqedonisë.
Por a e meriton Maqedonia një kryeministër të tillë? A e meritojnë shqiptarët, por edhe maqedonasit një kryeministër si Gruevski?
Gjasat janë që Gruevski zgjidhet kreu i qeverisë sërish me votëbesim, pasi nacionalizmi që e karakterizon atë vetë dhe VMRO-DMPNE-në bën që të votohet nga masa më e gjërë e popullsisë maqedonase, të cilët për fat të keq akoma mburrin ndjenjat nacionaliste, të cilat të mbajnë larg BE-së dhe larg NATO-s.
Siç janë shprehur ekspertë ndërkombëtarë për politikën në Maqedoni – ata të cilët e shohin nga “lart” situatën dhe nga një këndvështrim racional, Gruevski nuk e meriton më të qeverisë.
Qeveria e Gruevskit ka krizën e legjitimitetit – pas skandaleve të shumta të zbuluara përmes përgjimeve të opozitës, ku një grup i vogël njerëzish luajnë si në teatër me politikat kombëtare.
Mbështetja për Gruevskin do të thotë mbështetje për një system jo aq demokratik dhe që e largon vendin drejt funksionimit të një shteti ligjor dhe të drejtë për qytetarët e vet.
Mbështetja për Gruevskin do të thotë mbështetje për një shtet të kapur, një ekonomie politike aspak funksionale dhe një qeverie që nuk është transparente me të dhënat e veta – përkundër ka mosbesim ndaj qytetarëve teksa ka përgjuar mbi 20.000 persona, vlerëson Florian Bieber.
Mbështetja për Gruevskin do të thotë më shumë probleme për Maqedoninë – më tepër ndasi etnike dhe mbytje nga nacionalizmi – e cila në fund përkthehet në një shtet “fuçi”, që krijon destabilitet politik në Ballkan.
Mbështetja e Gruevskit do të thotë mbytje e të drejtave të shqiptarëve dhe të pakicave të tjera etnike që jetojnë në Maqedoni – rrymave në opozitë dhe jashtë saj – e shoqërisë civile dhe atyre që duan paqe e tolerancë në një republikë me disa etni.
Këto idealizimime politike në fakt duhet të ndodhnin në Maqedoni, por se realiteti është kryekëput dramatik dhe me kokë-poshtë.
Sa më tepër që Gruevski ngre statuja dhe ngre në peshë delirin e madhështisë së Maqedonisë me statuja gjigande krejtësisht qesharake, pagëzuar me emrin “Shkupi 2014”, aq më tepër nacionalist mbledh rreth vetes Gruevski dhe aq më tepër maqedonas që duan të “ringrenë lavdinë e Maqedonisë”.
Një pushtet që ngjall mosbesim, nuk ka transparencë, është në luftë të hapur me ata që i bëjnë opozitë, që nuk dëshiron etnitë brenda shtetit, nuk mund të jetë asesi evropiane dhe as të funksionojë shteti në mënyrën e duhur.
Gruevski duhet të ikë, për ti hapur rrugë një Maqedonie më të drejtë, më të ndjeshme ndaj çështjeve publike dhe ti shmanget pushtetit me mendësi deri totalitare.
Dhe, si fund po sjellim ndërmend deklaratën famoze të Gruevskit, që e ngjit atë në nivelin e një njeriu që ka mendësinë diktatoriale.
Ai sëfundmi ka thënë se maqedonasit duhet të bëjnë sa më shumë fëmijë. Deklaratë kjo kaq e tmerrshme, kaq dramatike dhe aq me mendësi të vjetër.
Deklarata të tilla vetëm lideri i komunistëve shqiptarë bënte në kohën e tij, duke u shprehur se “sa më tepër që lindin shqiptarë, aq më shumë duheshin forcat për të përparuar sistemi socialist në Shqipëri”.
Në po të njëjtën logjikë thuajse është edhe Gruevski. Me deklaratën e tij, që maqedonasit të bëjnë sa më tepër fëmijë, ai ka parasysh faktin se i duhen sa më tepër maqedonas me qëllim që ti realizojë qëllimet e tij politike.
Gruevskit i duhen “maqedonas”, sepse kështu ngrihet akoma më tej lavdia e maqedonasve përmes nacionalizmit që ngre krye me statujat gjigande në Shkup.
Gruevskit i duhen maqedonasit, sepse është kjo etni që mashtrohet më kollaj nga nacionalizmi primitiv që karakterizon kreun e qeverisë në ikje e sipër.
Gruevskit i duhen maqedonasit, më tepër për faktin se ndër maqedonas ka rënë shumë lindshmëria, kurse nga ana tjetër shqiptarët sa vjen dhe po shtohen.
Një frikë e tillë e kaplon Gruevskin, për të sotmen dhe për të ardhmen, e bën atë që të vijojë të parashikojë të ardhmen, sesi shqiptarët gjithmonë “të jenë të përulur” në Republikën e Maqedonisë.
E bën me shifra të manipuluara – me lloj –lloj politikash me qëllim që republika të konsiderohet më tepër e maqedonasve dhe shqiptarët “si mish i huaj”, ndërsa tanimë Gruevski po e thotë hapur.
Shpërfaqja nacionaliste e kreut të qeverisë në dorëheqje të Shkupit ka arritur kulmin e vet. Nacionalizmi ka “të mirën” se të ngre shumë lart në pushtet, për shkak se i mashtron masat – por se nëse vijon të biesh – thyen këmbë e duar. Vijimi i kursit nacionalist gruevskian, fundin vështirë se e ka të vulosur me lavdi.