Paraqitja e dokumenteve të tilla jo zyrtare është paralajmërim për shtyrjen e dialogut zyrtar midis Beogradit dhe Prishtinës edhe për bisedimet për çështjet e hapura në regjion, deklaroi drejtori i Agjencisë së zbulimit, në një intervistë për “DW”, transmeton Almakos.
Një pjesë e madhe e temave gjenden në fokusin e interesit të opinionit në kohën e rritjes së sfidave ndërkombëtare dhe vendore, shëndetësore, regjionale, integruese dhe të gjitha me emëruesin e përbashkët, sfidat e sigurisë. Për një pjesë prej tyre biseduam me Erolld Musliun, drejtor i Agjencisë së Zbulimit, institucion që është nën mbikëqyrjen e presidentit të shtetit. Ajo është e autorizuar për mbledhjen, analizën dhe përpunimin e informacioneve zbuluese të rëndësishme për sigurinë, mbrojtjen, interesave politike, ekonomike dhe tjera të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
DW: A patën sukses strategjitë hibride të cilat e shfrytëzuan pandeminë për vizatimin e trajektoreve për ndikimin e tyre, më shumë përmes vaksinave, përmes donacioneve, deri te propaganda mediale dhe gjithçka që mund të vihet nën atë pako anti pandemike, por me etiketën e dukshme gjeopolitike?
Erolld Musliu: Shtetet që po bëjnë ndikim hibrid ndaj regjionit e që janë në sferën e tyre të interesit, e keqpërdorën pandeminë për promovimin e interesave të tyre shtetërore. Deri më tani, qasja e tillë, ka pasur efekt ndaj segmenteve të caktuara të opinionit publik për favorizimin e disa vendeve dhe vaksinave edhe në raport me veprimet e tyre për donacion. Nëse flasim në afatin e shkurtër, qasja e tillë mund që të lulëzoj, por nëse flasim në afatgjatë një qasje dhe veprim i tillë nuk është i qëndrueshëm dhe në të ardhmen nuk mund që të përdoret si platformë për implementimin e strategjive hibride. Gjithësesi, suksesi në kundërshtimin e një sjellje të këtillë është në atë se sa shtetet do ta njohin atë si kërcënim, ti përgjigjen në mënyrë adekuate dhe të zhvillojnë mbrojtjen. Ne, si anëtare e NATO-s, bashkërisht me aleatët tanë, shpejt e identifikuam dhe u njohëm me këtë strategji dhe në mënyrë adekuate vepruam. Është e nevojshme që në periudhën e ardhshme, në bashkëpunim me bartësit e tjerë nga sfera e sigurisë, bashkërisht të ndikojmë në ngritjen e kulturës së sigurisë në institucionet dhe në shoqërinë tonë në përgjithësi me qëllim që të jemi më të mbrojtur ndaj ndikimeve që janë pjesë e strategjive hibride të aktorëve gjeostrategjik.
DW: Në këtë periudhë të pandemisë u paraqitën edhe shumë dokumente, me të cilat u dërgua porosia se problemet dhe konfliktet e ngrira mund që të zgjidhen përmes vizatimit të kufijve të ri tek një pjesë e vendeve të Ballkanit Perëndimor. AZ a ka njohuri rreth asaj se kush qëndron prapa tyre?
Erolld Musliu: Konstelacionet në regjionin e Ballkanit Perëndimor janë të ndërlikuara dhe të komplikuara. Ata nuk mund që të zgjidhen me dokumente. AZ po i përcjell publikimet e tyre dhe mund të konstatoj se nuk e kanë arritur efektin e dëshiruar. Kemi identifikuar se ka qenë lëndë interesi e opinionit profesional, ndërsa politikanët nuk kanë pasur guxim që ti paraqesin qëndrimet e tyre. Interesi kryesor i AZ është kush është krijuesi i atyre dokumenteve dhe cili është qëllimi i tyre. Njohuritë tona çojnë në përfundimin se disa politikan në regjion po tentojnë që të dalin jashtë kufijve të tyre duke tentuar që të paraqiten para BE-së si adresë me rëndësi e cila mund të ndihmoje në procesin e zgjidhjes së çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor. Disa prej tyre po e mbivlerësojnë fuqinë, ndërsa po bazohen në kontaktet e mira që kanë me lobi grupet e ndryshme që ekzistojnë në BE. Para së gjithash, rrezikun e shoh aty që një pjesë e politikanëve nga Ballkani Perëndimor të futen në matricën e strategjisë hibride, dhe me të, të shndërrohen në mjet për realizimin e skenarëve nga të ashtuquajturit non piper. Dokumentet me lehtësi po vizatojnë zgjidhje të bazuara në parime etnike, edhe pse të gjithë e kanë të qartë se pas shpërbërjes së Jugosllavisë, shtetet e reja janë formuar në bazë të kufijve të atëhershëm administrativ, e jo në bazë të parimeve etnike. Paraqitja e dokumenteve të tilla jo zyrtare me propozime të ulëta është paralajmërim për shtyrjen e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës dhe bisedave tjera për çështjet e hapura në rajon.
DW: Në një deklaratë keni thënë se Bullgaria nuk është çështje e sigurisë. Ajo është partneri i ynë në NATO, por bllokimi i saj i rrugës evropiane të Maqedonisë ndikon në stabilitetin këtu dhe në rajon. Kur përballë jush keni edhe partner edhe frenues, si veproni në trajtimin e kësaj çështjeje?
Erolld Musliu: Është e vërtetë se kam deklaruar ashtu dhe ende e mbaj atë qëndrim se raportet midis RMV me Bullgarinë nuk janë çështje e sigurisë. Ajo çështje është politike për të cilën në nivelin bilateral edhe në korniza të BE-së po zhvillohet dialog. Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Republikën e Bullgarisë nga viti 2017 është bazë solide për zgjidhjen e problemit, me atë që edhe BE-ja do të duhet të ketë një qëndrim më proaktiv për zbatimin e saj. Por, pasi që pyetja juaj ka të bëjë me stabilitetin e rajonit, dhe jo vetëm të RMV-së, mund të konstatohet se bllokimi i rrugës evropiane të RMV-s në mënyrë negative ndikon në rajon dhe do të krijoje hapësirë për veprimin edhe të forcave tjera gjeopolitike, tek të cilët, rritja e skepticizmit evropian do të ndikoje në mënyrë të përshtatshme në realizimin e qëllimeve të tyre strategjike. AZ është e fokusuar që të identifikoje nëse prapa frenimit të proceseve eurointegruese të RMV-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor eventualisht qëndrojnë fuqi tjera gjeopolitike, të cilat kanë interes që ta pengojnë procesin e zgjerimit të BE-së, gjegjësisht integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
DW: Largimi i para disa kohësh i diplomatit rus nga Maqedonia e Veriut a ishte akt solidariteti ose kishte prapaskenë tjetër? Një medie publikoi një informacion për një incident në një lokal në Shkup ku ka qenë i përfshirë edhe një person nga ambasada ruse.
Erolld Musliu: Është fakt se aleatët tanë të NATO-s larguan 40 diplomat rus nga shtetet e tyre për shkak të përzierjes në aktivitete zbuluese të palejueshme në territoret e tyre. Në lidhje me çështjen në shtetin tonë, nuk bëhet fjalë për akt solidarizimi, porse diplomati i përmendur rus nuk e ka respektuar kodin diplomatik dhe integritetin e institucioneve tona. Në bashkëpunim me institucionet tona në shtetin tonë, rasti është përpunuar me detaje, për çka ambasada ruse është e informuar. Kur jemi te rasti i dytë, bëhet fjalë për një të punësuar në ambasadën e Federatës Ruse, i cili ka bërë një incident me të punësuar në një lokal në Shkup dhe ka bërë rezistencë ndaj veprimeve të ndërmarra zyrtare, me çka e ka prishur rendin dhe qetësinë publike. Për një sjellje të këtillë të pahijshme të diplomatit rus, në mënyrë adekuate është informuar ambasada ruse. Në lidhje me ngjarjet e këtilla, është i parëndësishëm fakti se RMV është shtet i vogël me hapësirë gjeografike, por duhet që të kihet parasysh se pozicioni i jonë gjeostrategjik ka vlerë për NATO-n dhe BE-në. Agjencitë tona të inteligjencës mund të duken të vogla, por ju siguroj se jemi efikas dhe asnjëherë nuk do të tolerojmë që të mos respektohen institucionet tona dhe të punësuarit në pozicione të ndjeshme.
DW: Pas rastit me 215 pasaportat e lëshuara në mënyrë ilegale për dilerët e drogës dhe persona të rrezikshëm për shtetin tonë, por edhe për sigurinë e shteteve tjera, u hap çështja si është e mundur që shërbimet operative në MPB, ANA dhe AZ të mos kanë indicie se diçka po ndodh, se persona të profilit të tillë vinë këtu, qëndrojnë dhe pa probleme pajisen me dokumente? Cilat janë implikimet e këtij rasti?
Erolld Musliu: Është e pritshme që të paraqiten implikime nga fenomeni i këtillë i lëshimit ilegal të pasaportave për personat anëtarë të grupeve kriminale dhe ekstremiste. Fakti se personat e tillë posedojnë dokumente udhëtimi legale në mënyrë serioze i frenon tentimet për ndjekjen e tyre operative, identifikimin e lokacionit dhe aktivitetet e tyre. Sipas njohurive me të cilat disponon AZ, me kohë janë informuar institucionet kompetente dhe shërbimet mike. Është shqetësues fakti që me dokumente të këtilla janë pajisur ekstremist me përvoja luftarake nga Siria, anëtarë të bandave kriminale, të përzier në likuidime në Ukrainë dhe Greqi dhe individ të përfshirë në forma të ndryshme serioze të krimit të organizuar që kanë të bëjnë me tregtinë me drogë dhe shpëlarjen e parave. Kuptohet se në këtë rast duhet që të marrim mësim që në të ardhmen t`i përforcojmë standardet e sigurisë në institucionet shtetërore, të ketë integritet më të lartë profesional tek të punësuarit dhe mekanizma tjerë mbrojtës dhe efikas.
DW: Instituti ndërkombëtar për studime të Lindjes së mesme dhe Ballkanike (IFIMES) nga Lublana, duke u thirrur në analist të pa emëruar ka publikuar se ekziston një operacion i agjencioneve të zbulimit me emrin “Kërcimi i kalit” qëllimi i të cilës ka qenë kthimi i Nikolla Gruevskit në vend dhe rrëzimin e qeverisë aktuale, përmes destabilizimit të shtetit me prodhimin e vazhdueshëm të skandaleve. A keni njohuri për një operacion të këtillë?
Erolld Musliu: Në pajtim me ligjin, Agjencia e Zbulimit është institucion për mbledhjen e informacioneve për kërcënime të jashtme dhe kryerjen e operacioneve jashtë. Ju them me bindje të plotë se për momentin nuk kemi njohuri e as që jemi të informuar nga shërbimet mike se është duke u realizuar operacioni me emrin kodifikues “Kërcimi i kalit”. Teksti i IFIMES con drejt njohurive serioze që nuk japin fotografi të qartë se si është arritur deri aty, por thirren në analist të pa emër nga qarqet ndërkombëtare. Drejtuesit e IFIMES kanë qenë mysafir të shpeshtë në vendin tonë, me këtë rast do t`i ftoja përsëri nëse kanë të dhëna më konkrete për këtë operacion që bashkërisht të bisedojmë. Obligimi i jonë është që të bëjmë një ftesë të këtillë, pasi që si mbrojtës të sigurisë nacionale kemi për obligim që të mbrohemi nga destabilizimi i mundshëm i paralajmëruar në tekstin e tyre. Kur jemi te Nikolla Gruevski, vlerësoj se e tërë përkrahja ndërkombëtare juridike dhe komunikimi po realizohet përmes Ministrisë së drejtësisë, ndërsa në pjesën e bashkëpunimit me Interpolin, bisedimet shkojnë përmes Ministrisë së punëve të brendshme.
DW: Cilat janë rreziqet me të mëdha të sigurisë me të cilat për momentin po përballet RMV?
Erolld Musliu: Për momentin ekzistojnë disa sfida të rëndësishme të sigurisë për RMV. Por, duhet ta kemi parasysh se me hyrjen e RMV-së në NATO, sfidat e sigurisë të NATO-s u bënë sfida të sigurisë edhe për sigurinë tonë nacionale. Fillimisht do ta përmendja rivalitetin gjeopolitik që po zhvillohet nga strategjitë hibride për veprimtari në rajon. Ai përfshin përhapjen e lajmeve të rrejshme, veprimtarinë politike dhe diplomatike, veprimtarinë e agjencive të intelegjencës, promovimin e interesave ekonomike dhe biznesore, diplomacisë kulturore, ndërsa në kohën e fundit edhe të diplomacisë kovid. Sfidë tjetër e sigurisë është nga sfera e terrorizmit ku ende është aktuale cështja e luftarëve të huaj terrorist nga aspekti i gjetjes së lokacionit të tyre dhe mbetjeve të armëve, kthimin e të burgosurve dhe të atyre që gjenden në kampet humanitare. Po punohet për disa përfaqësues të ISIS të cilët gjenden në burg nën kontrollin e SDF( Syrian Democratic Forces), si dhe disa grave dhe fëmijëve që gjenden në kampet humanitare e që janë nën kontrollin e SDF. Një kohë më të gjatë kjo strukturë është sfidë për institucionet tona nga aspekti i ndërmarrjes dhe transferim të tyre nga lokacionet momentale nga Siria për në shtetin tonë. Në këtë periudhë, bashkërisht me institucionet kompetente në shtetin tonë dhe partnerët ndërkombëtare, në mënyrë aktive jemi duke punuar në këtë plan dhe shpresoj se do të kemi një rezultat të shpejt dhe pozitiv. Kur do ta përfundojmë këtë aktivitet, AZ në korniza të kompetencave të saj do të vazhdoje të punoje në gjetjen e disa shtetasve tanë të cilët po luftojnë në suaza të Hayjat Tahrir al Sham. Prioritet i jonë është edhe puna me mbledhjen e informacioneve edhe për kërcënimet tjera asimetrike nga sfera e krimit të organizuar, këtu para së gjithash mendoj në migrimin ilegal, jo vetëm si fenomen, por edhe si mjet i strategjisë hibride të lojëtarëve regjional dhe gjopolitik. Interes jo më i vogël në punën e Agjencisë dhe bashkëpunimit me shërbimet partnere është edhe kanalet ndërkombëtare të tregtisë me narkotik. Gjithsesi jemi të fokusuar edhe në sigurimin e informacioneve relevante që kanë të bëjnë me pandeminë, e cila po zgjat më shumë së një vit dhe ndikimit të saj ndaj sigurisë regjionale.