Ideja evropiane e Mqedonisë së Veriut ka perspektivë por zgjidhjen duhet ta gjejmë në mënyrë dypalëshe, jo në Bruksel, ky është mesazhi i Presidentit bullgar Radev gjatë shënimit të përbashkët të Ditës së Shën Kirilit dhe Metodit në Bazilikën Santa Maria Maxhore në Romë. Sipas Radevit simbolika e aktivitetit të sotëm është shenjë e besimit dhe miqësisë. Ai siguroi se Bullgaria po punon për thellimin e bashkëpunimit dypalësh. Presidenti, Pendarovski tha se përmes aktivitetit të përbashkët konfirmohet se edhe në Ballkan ka politikanë që mund të flasin me gjuhë evropiane për çështjet e hapura. “Bashkë me Radevin gjetëm gjuhën e përbashkët për të folur për të ardhmen tonë të përbashkët. Është dinamikë e re në marrëdhëniet tona dypalëshe që duhet të vazhdojë. Esenca të tregojmë se progresi është i mundur vetëm me repsekt të ndërsjellë.” theksoi Pendarovski. Paraprakisht, Radev hodhi poshtë idenë e kyçjes së ekspertëve ndërkombëtarë në komisionin dypalësh të historisë, duke thënë se nuk ka nevojë për ndërmjetësues dhe se zgjidhja varet nga dialogu konstruktiv mbi dokumentet dhe burimet historike. Potencoi se ndërkohë në nivelin më të lartë politik duhet të merren hapat e duhur, që gjithsesi nuk kalojnë përmes metropoleve të tjera evropiane por përmes Sofjes. Ndërkaq një ditë më parë, Pendarovski tha se ajo që ka më së shumti rëndësi është fakti se Sofja nuk i mbylli dyert për propozimin e Portugalisë, i cili mes tjerash parashikon që BE ta monitorojë zbatimin e Marrëveshjes dypalëshe të vitit 2017 dhe zgjidhjen e kontestit përmes Marrëveshjes për stabilizim asociim.
– Advertisements –
