Gjysmë-maturantët kanë nisur të shfletojnë programet e shkollave të mesme për t’u regjistruar në njërën prej tyre. Të talentuarit në matematikë dhe informatikë tashmë kanë mundësinë të konkurrojnë në shkollën e mesme shtetërore “Gjimnazi matematikë-informatikë” që nisi me punë vitin e kaluar. Mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase dhe shqipe. Nxënësit e interesuar mund të konkurrojnë përmes faqes së internetit mig.mk. Gjimnazi ofron bursa për nxënësit e dalluar dhe qëndrim falas në konvikt për nxënësit jashtë qytetit të Shkupit.
Suksesi i nxënësve duhet të jetë 4.5 minimum, duhet të jenë nxënës të shkëlqyeshëm. Kurse nga lëndët matematikë dhe fizikë duhet të jenë 5.00 gjatë gjithë viteve që ata kanë mësuar. Provimi i parë nga matematika është planifikuar të mbahet më 2 qershor kurse provimi i dytë në fizikë më 4 qershor. Nëse nxënësi i kësaj shkollë, tani që kemi gjeneratën e parëm, arrin ta mbaj suksesin e shkëlqyeshëm nga fillorja me minium 4.5, ai me automatizëm fiton bursë – deklaroi Naser Miftari, profesor.
Nxënësit që aktualisht mësojnë në këtë shkollë të mesme thonë se për arritjen e suksesit kërkohet angazhim dhe më shumë punë.
Këtë vit kemi pas pesë lëndë profesionale: algjebër, gjeometri, funksione dhe numra real, programim dhe informatikë. Janë këto pesë lëndët që ne u koncentrohemi më shumë në vitin e parë ku edhe duhet të përkushtohet dhe të punohet pak më shumë – u shpreh Dea Hoxha, nxënëse.
“Për provimet që i patëm ne, matematikën e mësuam prej klasës së gjashtë deri në klasën e nëntë. Në provim ishin prej klasës së tetë dhe të nëntë që ishte një lehtësim për mua. Poashtu patëm provim edhe në lëndën e fizikës ku ishin pyetjet e klasë së tetë dhe të nëntë”, tha Sadet Asani, nxënës.
“Ju kisha sugjeruar që sa më shpejt të vendosin për këtë shkollë sepse me të vërtet është një shkollë ku mund të sigurojnë një të ardhme më të mirë. Për shkak se afati i provimit po afrohet kisha thënë që sa më shpejt të vendosin dhe të fillojnë të përgatiten për provim, nuk do të zhgënjehen”, u shpreh Jetmir Bela, nxënës.
Gjenerata e parë e kësaj shkolle numëron mbi 30 nxënës, prej të cilëve vetëm 8 nxënës formojnë një paralele me mësim në gjuhën shqipe. Gjimnazi në fjalë, për momentin punon në kuadër të objektit të shkollës së mesme të ndërtimtarisë “Zdravko Cvetkovski”.