Opozita shqiptare ka kërkuar përgjegjësi nga Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Në debatin parlamentar për interpelancën ndaj Spasovskit, ASH-AAA theksuan një sërë rastesh për të cilat kërkojnë llogari nga ministri i Brendshëm ndërkohë që arsyeja e interpelancës ishte arratisja e Sasho Mijallkovit.
– Advertisements –

“Mijallkov për momentin është në burg, por ajo nuk na pengon që ne të diskutojmë në këtë interpelancë, sepse përveç këtij skandali, në këtë shtet janë bërë me dhjetëra, për të mos thënë me qindra skandale të ndryshme ku përgjegjëse është MPB. Për besueshmërinë, u them se në një anketë të bërë nga hulumtimet ndërkombëtare, mbi 60% nuk kanë besim në MPB edhe pse ju thoni se qytetarët kanë besim, ndërsa nga ana tjetër ky hulumtim është bërë para se të dalin skandalet me pasaportat, me numrat amë e kështu me radhë- deklaroi Halil Snopçe, deputet ASH-AAA.
Por, ministri Spasovski, duke u mbrojtur, ka deklaruar se interpelanca e iniciuar nga ASH-AAA është e çuditshme, pasi ajo pason pas një aksioni të suksesshëm të MPB-së, e jo pas dështimeve të saj.
“Sasho Mijallkov është në burg, atje ku e ka vendin, edhe atij edhe një numër të madh të funksionarëve të mëparshëm – kriminelë, të cilët vidhnin nga populli në vend që të punojnë për atë për të cilën janë zgjedhur, i njëjti Mijallkov të cilin deri para disa viteve, nuk mund t’ia përmendnit emrin ju të opozitës. Ndërsa tani e shohim se si i rritet numri i viteve për burgim. Kjo interpelancë në esencë paraqet dëshmi reale për ndryshimin e sistemit të vlerave të opozitës, andaj është interpelancë e çuditshme- pohoi Oliver Spasovski, Ministër i PB.
Seancën e lëshoi VMRO-DPMNE, për arsye se deputetëve të saj nuk u ishte dhënë mundësia për të marrë fjalën. Në Kundërpërgjigje, kryeparlamentari Xhaferi deklaroi se VMRO-DPMNE listën për fjalime e dorëzoi pas përfundimit të afatit.
“Kjo nuk është demokraci, këto që ndodh në Maqedoni, janë hapa tipik të sjelljes autoritare të pushtetit dhe jo rastësisht institucione relevante ndërkombëtare u kanë numëruar në kategorinë e “Regjimit Hibrid”. Andaj ne si grup parlamentar, në pajtueshmëri me nenin 45 do ta shqyrtojmë mundësinë për ngritjen e interpelancës për bartës së funksionit publik, ndërsa ai jeni Ju z. Xhaferi, e sot do ju lejojmë që vetë të luani rolin e Kuvendit- tha Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.
“Fajtor i vetëm jeni vetëm ju të cilët nuk e respektoni rregulloren e nuk dorëzuat listë në kohë, sipas nenit 49 alineja 2 … Unë me kënaqësi do ta pres interpelancën tuaj për kryerjen e funksionit tim kryetar i Kuvendit- pohoi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Sipas LSDM-së, interpelanca e opozitës shqiptare është e pabazë. Koordinatori Jovan Mitrevski thotë, se opozita maqedonase nuk mund të ballafaqohet me mashtrimet e saj.
“Sot gjoja e kanë lëshuar afatin, unë sinqerisht nuk besoj për shkak se atje ka edhe deputet që janë kohë të gjatë në Kuvend, por ka edhe politikanë me eksperiencë që nuk besoj se e kanë huq afatin e dorëzimit të listës për folësit. Duket se sot duan të ikin nga faktet dhe nga e vërteta për atë se çka ndodh edhe me pasaportat e rrejshëm, edhe me numrat amë të dyfishtë, edhe me patent shoferat, e me të gjithë atë që në opinion e interpretojnë si gjoja afera- tha Jovan Mitrevski, LSDM.
Nga LSDM thanë se e mbështesin ministrin e Brendshëm, Oliver Spasovski, dhe kërkojnë nga ai që të vazhdojë në mënyrë të njëjtë të punoj.
Mefail Ismaili