Teksa Franca dhe Polonia nisën të aplikonin masa më të rrepta sigurie kundër Covid-19, duke vendosur izolim të pjesshëm, me mijëra njerëz protestuan në disa vende europiane kundër kufizimeve të koronavirusit.
Në të gjithë Europën, njerëzit nëpër vende si Gjermania, Hollanda, Austria, Bullgaria, Zvicra, Rumania, Serbia, Polonia, Franca dhe Britania, protestuan kundër “diktaturës” së kufizimeve të shëndetit dhe asaj që ata e shohin si sulm ndaj lirive themelore. Protestat gjithashtu paraqitën një element të fortë të mohimit të pandemisë, të nxitur nga keqinformimi. “Stop terrorit të koronës” ose “Covid është një mashtrim” ishin parulla të zakonshme nëpër tabela.
Disa tubime u përshkallëzuan në përplasje me policinë. Në Mbretërinë e Bashkuar të paktën 36 persona u arrestuan dhe disa oficerë policie u plagosën gjatë një proteste anti-izolim në Londër. Një protestë e ngjashme u zhvillua në Manchester, pa arrestime.
Infeksionet nga virusi janë rritur përsëri në Gjermani javët e fundit, me variantin e ri britanik dominues, dhe qeveria do të vendosë javën tjetër se si të reagojë. Ndërkohë protesta kanë ndodhur në Kassel dhe Berlin, ku shumica nuk mbante maskë.
Në Finlandë, policia vlerësoi se rreth 400 njerëz, pa maska, u mblodhën në kryeqytetin Helsinki, për të protestuar kundër kufizimeve të qeverisë. Më parë, qindra marshuan në parlament. Demonstrata më të vogla u panë në qytete të tjera finlandeze. Policia e Helsinkit shkroi në Twitter se protestat u zhvilluan në mënyrë paqësore, por shkelën rregullat për distancimin shoqëror dhe tubimet publike.
Ndërkohë më shumë se 1,000 protestues anti-vaksinë dolën në rrugë në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, mes një rritje të infeksioneve Covid-19. Turma kryesisht pa maska ?tundi flamuj kombëtarë dhe bënë thirrje të tilla: “Bllokoni vaksinimin” dhe “Ndalni frikën!”.
Në Austri, rreth 1,000 njerëz protestuan kundër masave të virusit pranë stacionit qendror të trenit të Vjenës. Në Zvicër, më shumë se 5,000 protestues mbajtën një marshim të heshtur 15 kilometra në juglindje të Bazelit, raportuan mediat lokale. Shumica nuk mbanin maska ??dhe disa mbanin banderola me parulla si “Vaksinimi vret”.
Të premten, Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë tha se furnizimet e vaksinave në Europë ishin të papërshtatshme për të parandaluar një valë të tretë të pandemisë.