Intervistë me kryetarin e degës së Sarajit dhe ish futbollistin, Ertan Demiri
Në kuadër të reformave që, tashmë disa muaj, janë zhvilluar në AlternAtivA, është edhe zgjedhja e kryetarit të ri të degës së Sarajit. Kjo ishte arsyeja që të bisedojmë me kryetarin e ri, ish futbollistin e njohur, Ertan Demiri.
z. Ertan Demiri, fillimisht ju falënderoj që pranuat të jeni pjesë e intervistës sonë. Javë më parë u zgjodhët kryetar i degës Saraj të partisë politike “Alternativa”, ndërsa në opinionin publik dhe tek sportdashësit njiheni si një ndër futbollistët më të njohur, veçanërisht të Shkupit, ku edhe aktualisht e ushtroni detyrën e menaxherit në futboll.
Çfarë është kjo lidhja juaj me politikën? Si lindi ideja që të kyçeni në politikë, cila peshon më shumë tek ju sporti apo politika?
Demiri: Fillimisht ju falënderoj për mundësinë që më dhatë që të diskutojmë tema të ndryshme mbi sportin dhe politikën. Sa i përket pyetjes suaj, mbi lidhjen time me politikën dhe idenë fillestare për të qenë pjesë e politikës, mund të them se gjërat shpeshherë lindin në mënyrë spontane, ndërsa ne si qenie njerëzore – nën shtytjen e kësaj gjendjeje spontane – detyrohemi të kontribuojmë në sfera nga më të ndryshmet. Inkuadrimi im në politikë lindi nga detyrimet kombëtar, njerëzor, por nëse doni, edhe fetar, duke e parë gjendjen e vështirë të popullit tim dhe gjendjen e rënduar socio-ekonomike të shqiptarëve në vend. Ta shohësh këtë gjendje prej anash dhe tymos bësh asgjë, më dukej e pamoralshme. Prandaj sot jam këtu.
Kështu m’u mbush mendja që t’i hyj kësaj detyre. Për ata që nuk e dinë, inkuadrimi im në politikë nuk është risi. Unë jam pjesë e saj gati se 5 vite, madje – sa për kureshtje – unë kam qenë edhe pjesë e listës për deputetë në vitin 2016-tën, si edhe më 2020-tën.
Ndërkaq, sa i përket asaj se cila peshon më shumë tek unë, sporti apo politika, kjo është çështje irelevante karshi asaj me të cilën po ballafaqohet populli im. Ajo që mendoj unë në këtë rast është se vlerat dhe koha nuk maten me peshore, sepse çdo gjë e ka vlerën dhe peshën e vet. Sporti është pjesë përbërëse e jetës sime, pa të cilin mbase nuk mund të frymoj , ngase aty janë përjetimet, emocionet, sakrifica, fitoret e humbjet, të gjitha janë në një vend që nuk mund të shlyhen aspak, ndërsa politika është barrë e rëndë për mua, ku unë jam që të të kontribuoj për të mirën e qytetarëve. Dyzimi sport-politikë mund të përshkruhet kështu: edhe në politikë, si në sport, s’duhet dorëzuar deri në fund. Andaj, mendoj se perceptimi i politikës me paradigma sportive, është motiv më shumë për të vepruar.
z. Demiri, pse pikërisht zgjodhët të jeni pjesë e partisë politike “Alternativa”? Çfarë keni gjetur te kjo parti? Pse pikërisht Alternativa e jo ndonjë parti tjetër shqiptare apo maqedonase?
Demiri: Është një thënie e një mendimtari turk bashkëkohor, i cili qenien njeri e parafrazon me këto fjalë: “Çdo qenie jeton ashtu siç mendon dhe di të jetojë, ndërsa çdokush e sheh veten aty ku mendon”. Kjo thënie është edhe lajtmotivi im i jetës. Ne duhet të jetojmë mbi parimin se ku e gjejmë veten tonë. Para se të jam pjesë e Alternativës, unë jam mik i vjetër dhe jam dost me disa nga eksponentët e kësaj partie. Duke i njohur nga afër këta miq, njohuritë e tyre profesionale dhe intelektuale, parimet e tyre morale dhe idenë e tyre mbi politikën, vendosa të jem në anën e miqve dhe dostllarëve, si dhe besnik i idesë politike për rimëkëmbjen e shqiptarëve në vend.
Në jetë duhet të jemi parimorë, ndërsa për mua Alternativa, përveç principeve dhe parimeve politike, ka ngjallur shpresë dhe entuziazëm për ndryshim. Partia e Afrim Gashit, në vazhdimësi, ka dëshmuar se bart mbi supet e saj vlera të larta kombëtare dhe konservatore, që kërkojnë edhe me botëkuptimin timbër organizimin publik. Përveç kësaj, përkundër stuhive të kaluara dhe trazimeve politike, Alternativa u qëndroi fuqishëm furtunave, ndërsa tash po rikthehet furishëm në skenë, duke proklamuar dije, guxim dhe profesionalizëm. Për mua më e rëndësishme se a fitojmë e sa fitojmë, ka qenë a jam unë në rrugë të mbarë. Dhe, prandaj nuk jam penduar
Në të vërtetë, Alternativa, së bashku me partnerin e koalicionit Aleanca për Shqiptarët, kanë ngjallur shpresë për kthim të ndryshimit. Ashtu siç ndodhi ndryshimi në Kosovë me Vetëvendosjen e Albin Kurtit, ashtu pritet dhe duhet të ndodhë ndryshimi edhe me Alternativën e Afrim Gashit dhe koalicionin mbarëshqiptar AAA-ASH. Rinia shqiptare në vend po e ndjen shkëndijën e ndryshimit.
Sa i përket pyetjes suaj, pse nuk jam pjesë e ndonjë partie maqedonase, besoj se nuk vlen edhe të komentohet më shumë. Ata që më njohin personalisht, e dinë se ku është vatra ime politike.
Së fundmi, javë më parë jeni zgjedhur kryetar i degës Saraj të Alternativës. Çfarë do presim nga Alternativa në degën Saraj? A keni filluar punën me përgatitjet për zgjedhjet lokale të këtij viti? Kush mund të jetë kandidat i koalicionit Alternativa – Aleanca për Shqiptarët në Saraj?
Demiri: Alternativa, tashmë disa muaj, është në fazën e reformave të saj të brendshme partiake. Në shumicën e degëve dhe nëndegëve kemi filluar t’i rifreskojmë strukturat tona, me qëllim që të krijojmë dhe reflektojmë energji dhe sinergji të re për fitoren që na pret në fund të këtij viti, në zgjedhjet lokale. Siç ndodhi në disa degë partiake, edhe në degën tonë – në Saraj, bëmë konsolidimin dhe rifresikimin e degës, ku në mënyrë unanime kuvendarët e degës më zgjodhën për kryetar të ri i degës, për çka shfrytëzoj rastin që edhe njëherë t’i falënderoj e t’u jam mirënjohës, në veçanti kryetarit të deritanishëm të degës, mikun tim IbushJusufin.
Meqë tash e kemi përfunduar konsolidimin e degës me të gjithë kuvendarët i kemi ndarë detyrimet tona, tani si degë kemi filluar edhe fazën e dytë të anëtarësimeve të reja për Saraj. Bashkë me procesin e anëtarësimeve, ne si degë veçmë kemi filluar edhe kontaktet tona të para, me rifreskimin e disa nëndegëve, ku së shpejti pritet ta shpalosim edhe strategjinë e re për fitoren e koalicionit Alternativa – Aleanca për Shqiptarët në komunën e Sarajit.
Sa i përket çështjes së kandidatit, se kush do të jetë kandidat i jonë për Saraj, kjo mbetet të definohet së pari ndërmjet organeve drejtuese të koalicionit dhe kryetarëve të dy partive tona. Mendoj se akoma është herët të flasim për emra të përveçëm derisa nuk ka një vendim nga organet partiake. Ajo që mund të them në këtë moment është se Alternativa, ashtu siç dëshmoi forcën e saj politike në zgjedhjet e 15 korrikut në nivel republikan, e sidomos në zonën e parë zgjedhore, njashtu do ta ridëshmojë edhe njëherë potencialin e saj fitues në zgjedhjet lokale të këtij fundviti. Ne po punojmë fuqishëm dhe po gjejmë përkrahje nga shumica e popullatës, ndërsa kjo gjë do të dëshmohet edhe njëherë brenda këtij vitit. Të keni pak durim. Disa gjëra do të ecin me kohë e për të mirën e qytetarëve dhe shqiptarëve në veçanti. Ju lutem për durim, sepse po vijnë ditë të mira për shqiptarët. Fitorja e koalicionit AAA-ASH në Saraj do të jetë befasia më e madhe në zgjedhjet lokale të këtij viti.