Ministria malazeze e Shëndetësisë ka njoftuar se është bërë një gabim teknik me rastin kur emri i Kosovës është shënuar me fusnotë në dokumentet e qeverisë së re të atjeshme.
Në një nga dokumentet e para të Qeverisë së re të Malit të Zi dhe të Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi, i cili u referohet masave të reja kundër pandemisë COVID-19, Kosova është shënuar me fusnotë.
Yllin pranë emrit (Kosova*) e vendosin disa vende që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.
Ndërkaq, në të gjitha dokumentet e deritashme zyrtare të Qeverisë malazeze, Kosova është trajtuar në përputhje me vendimin për njohjen e pavarësisë së saj, përkatësisht pa yll në emër, raporton Zeri.info.
Por, qeveria e re malazeze, e udhëhequr nga kryeministri Zdravko Krivokapiq, e ka shënuar Kosovën me fusnotë në një dokument për masat kundër pandemisë, i cili ka të bëjë me “tranzitin e banorëve të Bosnje dhe Hercegovinës, Serbisë, Kosovës* dhe Shqipërisë përmes Malit të Zi”.
“Me rastin e përgatitjes së tabelës me pakon e re të masave në luftën kundër pandemisë së COVID-19, ka ardhur deri te një gabim teknik, ku është shkruar Kosova me fusnotë. Posa është vërejtur, shërbimet operative dhe të informacionit të Ministrisë së Shëndetësisë e kanë përmirësuar atë gabim teknik, sië mund të shihet edhe në webfaqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe në Gazetën Zyrtare të Malit të Zi”, thuhet në njoftimin për media nga zyra për informim e kësaj Ministrie.
Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë të Malit të Zi është emëruar doktoresha, Jelena Boroviniq Bojoviq.
Qeveria e re e Malit të Zi është zgjedhur në Kuvendin malazez më 4 dhjetor. Shumicën parlamentare e përbëjnë deputetët e tri koalicioneve, e dominuar nga Fronti Demokratik, i cili ka bërë thirrje për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Por, Dritan Abazoviq, zëvendëskryeministër i Malit të Zi, kishte thënë se kjo nuk do të ndodhë në qeverinë në të cilën ai do të bënte pjesë.
Qeveria e Malit të Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 2008. /Zëri