Më se e sigurt është se Bullgaria do të vendos veto për fillimin e negociatave mes Maqedonisë dhe BE. Këtë sot e konfirmoi edhe kryeministri Zoran Zaev nga Strumica. Thotë se e ka përgatitur popullin për skenar të tillë.
“Unë jam i gatshëm si dhe populli maqedonas është i gatshëm për bllokadë eventuale, për veto dhe kjo është më se e sigurt. Nëse themi në përqindje sa, me përqindje është më se e sigurt se do të kemi veto, sesa jo. Por megjithatë asnjëherë nuk e humbi shpresën për shkak se përgjegjësia e politikanëve është e madhe”, theksoi Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Deklarata e Zaevit vjen pas deklaratës së shefit të diplomacisë së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva e cila në televizionin bullgar TVB tha se vendi ynë nuk është i gatshëm për t’i filluar negociatat me BE-në. Në këtë fazë, në deklaratën e Zaharievës thuhet – nuk do të themi PO për fillim të negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE. Zaharieva po ashtu tha se askush nuk e mohon të drejtën për vetëpërcaktim por tha se kjo e drejtë nuk guxon të themelohet në, siç tha ajo, “urrejtje, vjedhje të historisë dhe mohim të Bullgarisë”.
“Nuk mund të duash të jesh në BE dhe ta demokratizosh shoqërinë, ndërsa njëkohësisht ta festosh njërin prej diktatorëve më të mëdhenj – Tito. Nëse vazhdojmë t’i mbyllim sytë para faktit se shteti vazhdon të zhvillohet sipas mënyrës së shpikur nga Tito dhe Stalin, i bëjmë favor Moskës”, theksoi Ekaterina Zaharieva – Ministre e Punëve të Jashtme e Bullgarisë.
Ministri i jashtëm Bujar Osmani nuk mund ta parashikojë fundin me deklaratat më të reja nga pala bullgare.
Kryeministri Zaev nuk humb shpresë, për shkak të, siç tha, përgjegjësisë së madhe të politikanëve. Të ndërtojmë miqësi, është e lehtë të ndërtohet miqësi, tha sot Zaev.