Fillimi i vitit të ri shkollor 2020-2021 është shtyrë për 14 shtator, për shkak të situatës me COVID-19 në Kosove.
Kjo u bë e ditur pas takimit të ministrit të Arsimit, Ramë Likaj, bashkë me SBASHK-un, IKSHPK-në dhe përfaqësues të MSH-së.
“Ne kemi raporte strikte të përshkruara në mënyrë të qartë për respektimin e masave kundër Covid-19. Nuk jemi duke e shtyrë fillimin e vitit shkollor për shkak se kemi ndonjë koment me ndonjë tjetrin. Qëllimi është vetëm të kujdesemi për shëndetin e personelit të mësimdhënësve dhe të shkollave, nxënësve dhe qytetarëve në përgjithësi”, ka thënë ministri Likaj.
Tutje, ministri sqaroi se mësimdhënësit që kanë probleme shëndetësore nuk janë të obliguar të paraqiten në procesin mësimor.
“Pakoja buxhetore që është aprovuar nga qeveria e Kosovës parasheh që mësimdhënësit që kanë probleme shëndetësore, të mos paraqiten në procesin arsimor, të kujdesen për shëndetin e tyre sepse janë ndarë mjete buxhetore që këta mësimdhënës të mbulohen”, sqaroi ministri Likaj.