Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AMDHP) ka filluar me procedurë për realizimin e mbikëqyrjes mbi ligjshmërinë e aktiviteteve të ndërmarra gjatë përpunimit të të dhënave personale dhe mbrojtjen e tyre nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Ministria e Shëndetësisë (MSH), në lidhje me sulmin e hakerave në ueb faqet e tyre më 23 korrik 2020.
“Për shkak të faktit se MASH dhe MSH nuk e kanë njoftuar AMDHP-në në përputhje me nenin 37 paragrafi 1 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për shkelje të sigurisë së të dhënave personale, AMDHP do të hetojë zyrtarisht dhe do të kontrollojë nëse ka pasur shkelje të sigurisë së të dhënave personale të përpunuara nga MASH dhe MSH, gjegjësisht nëse përpunimi i të dhënave personale është në përputhje me dispozitat e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale (Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut 42/20)”, kumtoi Agjencia.
Prandaj, ata presin bashkëpunim të plotë nga të dy ministritë gjatë mbikëqyrjes.
“Në mënyrë që të sigurojë transparencë në punën dhe njohjen e mediave dhe qytetarëve, AMDHP do t’ju informojë shtesë për rezultatin e procedurës”, shtojnë nga Agjencia.