Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ftesën që BDI u bëri partive politike shqiptare për takim më 13 gusht e sheh si presion ndaj tij, që të pranohet një kryeministër i propozuar nga BDI. Këtë e konfirmoi për Televizionin Shenja, vetë Zaevi nëpërmjet një porosie sms. Zoran Zaev, Lider i LSDM-së “Në pyetjen nëse ftesën e Ahmetit për partitë politike shqiptare e shihni si presion ndaj jush që të pranoni kryeministër të propozuar nga BDI? Përgjigja ime është “PO”. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë ditë së sotme i ftoi liderët e partive shqiptare në takim të përbashkët me rastin e përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, më 12 gusht.
Ftesa u drejtohet Zijadin Selës së Aleancës për Shqiptarët, Afrim Gashit të Alternativës, dhe Menduh Thaçit të PDSH-së. Takimi, siç paralajmëruan sot nga BDI-ja, do të realizohej me fillim në ora 12:00, në Hotel Park në Shkup.
“Urojmë që që kjo porosi t’ju gjejë shëndoshë e mirë. Ju lutem që të na njoftoni për gatishmërinë tuaj për këtë takim të rëndësishëm të përbashkët”, thuhet në ftesën e BDI-së. Reagimi i këtillë i BDI-së vjen pasi që ditë më parë, jozyrtarisht u mësua se LSDM, ka filluar bisedime intensive me koalicionin Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa. Ndërkohë liderët e partive politike shqiptare ftesën për takim do ta shqyrtojnë në mbledhjet e sontme të kryesive përkatëse.
Ajnur Bafqari /SHENJA/